Suhareka shënon fillimin e 16 Ditëve të Aktivizmit, Suka: Dhuna nuk duhet të ketë vend në familjet tona

25.11.2025

Sot në Suharekë fillojnë 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Familje, një iniciativë ndërkombëtare që simbolizon angazhimin për të mbrojtur të drejtën e grave dhe fëmijëve për një jetë pa dhunë.

Në këtë kuadër, një dritë portokalli u ndez si simbol i shpresës, i zërit që nuk hesht dhe i forcës që ngrihet mbi çdo formë dhune.

Këto 16 ditë nuk janë thjesht një fushatë sensibilizuese, por një thirrje e thellë zemre që kujton se çdo grua, çdo fëmijë dhe çdo njeri meriton siguri, dinjitet dhe respekt. Aksioni synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi pasojat e dhunës në familje dhe të forcojë bashkëpunimin mes institucioneve dhe komunitetit për mbrojtjen e viktimave.

Në këtë përkushtim, një rol të veçantë ka Nënkryetarja e Komunës së Suharekës, Mihrije Suka, e cila njihet si një nga figurat më të angazhuara dhe të përkushtuara në luftën kundër dhunës ndaj grave.

Me vite përvojë në mbështetjen e viktimave dhe në promovimin e politikave lokale për mbrojtjen e tyre, Suka ka qenë gjithmonë zëri i grave në komunë dhe një motor i ndryshimeve pozitive në këtë fushë. Angazhimi i saj përfshin krijimin e mekanizmave mbështetës, ndërgjegjësimin e komunitetit dhe bashkëpunimin me organizatat që punojnë në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve.

Nën udhëheqjen e Mihrije Sukës, Komuna e Suharekës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt krijimit të një ambienti më të sigurt dhe më mbështetës për viktimat e dhunës në familje. Ajo thekson vazhdimisht se lufta kundër dhunës është përgjegjësi e të gjithëve dhe se çdo hap për të ndihmuar viktimat është një hap drejt një shoqërie më të drejtë dhe më humane.