Shala: Komuna angazhon nxënës dhe policë për pastrim, ndërkohë kompanitë paguhen!

22.04.2025

Përderisa Komuna e Suharekës ka organizuar aksion për pastrimin e qytetit dhe fshatrave përreth, një reagim publik ka ardhur nga kryetari i degës së LDK-së në Suharekë, Dr. Ardian Shala.

Nuk mund të lejojmë që kompanitë të paguhen nga buxheti i qytetarëve, ndërkohë që barrën e pastrimit ta marrin mbi supe fëmijët tanë! Kjo nuk është as edukatë qytetare, as sensibilizim – kjo është keqpërdorim i pastër dhe shkelje e çdo logjike të funksionimit të një administrate përgjegjëse,” ka deklaruar Shala me tone të ashpra.

Ai ka theksuar se kjo dukuri duhet të marrë fund sa më shpejt dhe ka premtuar se nën qeverisjen e LDK-së, pastrimi i qytetit do të jetë përgjegjësi e atyre që janë kontraktuar dhe paguar për këtë punë, e jo e fëmijëve.

“Në emër të qytetarëve të Suharekës, si Kryetar i Degës së LDK-së, unë Ardian Shala, premtoj se kjo praktikë do të marrë fund që në vitin e parë të mandatit të parë të qeverisjes sonë. Pastrimi i qytetit do të bëhet nga ata që janë kontraktuar dhe paguar për këtë punë – kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje, e jo fëmijët tanë. E përndryshe, do të ketë përgjegjësi dhe veprime konkrete ligjore ndaj çdo kompanie dhe zyrtari që keqpërdor pozitat e tyre,” ka paralajmëruar Shala.

“Suhareka meriton më shumë. Suhareka meriton dinjitet dhe qeverisje të ndershme!” ka përfunduar reagimin e tij Ardian Shala, duke lënë të kuptohet se kjo çështje do të jetë një nga prioritetet kryesore të LDK-së në të ardhmen.