Sektori i gjendjës civile në Suharekë për një vit mbledh mbi 73 mijë euro nga shërbimet

19.06.2023

Qeveria e Kosovës po synon të ulë barrën administrative duke digjitalizuar shërbimet dhe duke ulur koston që qytetarët duhet ta bartin për tërheqjen e këtyre shërbimeve. Deri më tani, janë grumbulluar informata dhe disa shërbime janë ofruar përmes platformës elektronike e-Kosova. Gjatë vitit 2022, në kuadër të kësaj platforme, është përfshirë edhe ofrimi i një […]

Sektori i gjendjës civile në Suharekë për një vit mbledh mbi 73 mijë euro nga shërbimet Foto: Ilustrim

Qeveria e Kosovës po synon të ulë barrën administrative duke digjitalizuar shërbimet dhe duke ulur koston që qytetarët duhet ta bartin për tërheqjen e këtyre shërbimeve.

Deri më tani, janë grumbulluar informata dhe disa shërbime janë ofruar përmes platformës elektronike e-Kosova. Gjatë vitit 2022, në kuadër të kësaj platforme, është përfshirë edhe ofrimi i një numri të shërbimeve nga sektori i gjendjes civile. Nga qershori deri në fund të dhjetorit të vitit 2022, nga kjo platformë, qytetarët kanë tërhequr 238,015 dokumente të gjendjes civile.

Ndërsa në formë fizike, gjatë vitit 2022, qytetarët kanë tërhequr afro 2.2 milionë dokumente nga sektori i gjendjes civile në 38 komunat e Kosovës. Sipas kalkulimeve të Institutit GAP, qytetarëve pritet ti kursejnë mbi 1.5 milionë euro në vit nga tërheqja online e dokumenteve të gjendjes civile nga platforma e-Kosova. Ngjashëm, komunat priten t’i ulin shpenzimet e tyrë të stafit, veçmas tek bashkësitë lokale, mbyllja dhe riformatimi i shumë prej të cilave është rekomanduar nga Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC). Aktualisht, në tërë territorin e Kosovës ekzistojnë 180 njësi administrative (bashkësi lokale) që ofrojnë nëntë dokumente të gjendjes civile, si: certifikata e lindjes, ekstrakti i lindjes, certifikatë e shtetësisë, certifikatë e martesës, certifikatë e vdekjes, certifikatë e vendbanimit, certifikatë e gjendjes martesore, deklaratë e bashkësisë familjare dhe vërtetim nga arkivi.

Sipas kalkulimeve të Institutit GAP, të hyrat e 38 komunave në vitin 2022 nga lëshimi i dokumenteve dhe ofrimi i shërbimeve nga sektori i gjendjes civile ishin rreth 2.3 milonë euro, kurse shpenzimet rreth 2.2 milionë euro. Të hyrat totale ishin më të larta se shpenzimet kryesisht për shkak të komunave më të
mëdha, meqë 20 nga 38 komuna kanë më shumë shpenzime se sa të hyra nga ky sektor.

Konkretisht, Komuna e Prishtinës 69 mijë euro më shumë se shpenzime, ajo e Prizrenit ka gjeneruar 54 mijë euro më shumë, e Ferizajt 57 mijë euro më shumë, e Pejës 48 mijë euro më shumë, etj. Ndërkaq, komunat tjera, sikurse ajo e Vushtrrisë, ka gjeneruar të hyra nga ky sektor gjatë vitit 2022 në vlerë prej 73,573 euro, ndërsa për periudhën e njejtë, shpenzimet kanë qenë 87,000 euro.

Në anën tjetër, komuna e Skënderajt ka gjeneruar të hyra prej 55,389 euro, ndësa kishte shpenzime prej 90,766 euro. Ngjashëm, komuna sikurse e Drenasit ka gjeneruar të hyra 53,604 euro, ndërsa ka pasur shpenzime prej 75,094 euro.

Nga raporti i Institutit GAP bëhet e ditur se Komuna e Suharekës ka gjeneruar të hyra nga ky sektor në vlerë prej 73,287 euro, ndërsa janë shpenzuar 60,484 euro shkruan SuharekaOnline.

Pjesëmarrja e të hyrave financiare nga shërbimet e gjendjes civile në të hyrat vetanake të komunave është e ulët. Në pjesën më të madhe të komunave, kjo pjesëmarrje është nga 1% deri në 4%.

Andaj, ulja apo eliminimi i barrës administrative nuk pritet të ketë ndikim të madh në buxhetin e komunave. Nga të dhënat e pranuara nga komunat, del se nuk ekziston ndonjë lidhshmëri mes numrit të stafit në zyret e gjendjes civile nëpër komuna dhe numrit të banorëve në komunat përkatëse.

Prishtina që zyrtarisht vlerësohet t’i ketë afro 220,000 banorë, ka të punësuar 39 zyrtarë apo një zyrtar/e për 5,641 banorë, ndërsa Skenderaj që vlerësohet t’i ketë 52,600 banorë ka të punësuar 17 zyrtarë apo
një zyrtar/e për 3,094banorë, apo Komuna e Klinës me 40,000 banorë ka të punësuar 15 zyrtarë apo një zyrtar/e për 2,667 banorë.

Sipas GAP bëhet e ditur se Komuna e Suharekës me rreth 56,366 banorë, ka të punësuar vetëm 13 zyrtar/e, që i bie një zyrtar/e për 4,336 banorë.