Rreziku nga zjarret, Shabani: Zjarrfikësit e Suharekës në gjendje gatishmërie në çfarë do kohe
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani, ka theksuar për RTK-në se zjarrfikësit e qytetit janë gjithmonë në gatishmëri të plotë.
Duke iu referuar rrezikut të mundshëm nga zjarret si pasojë e temperaturave të larta, Shabani deklaroi se, pavarësisht vështirësive, zjarrfikësit e Suharekës po e kryejnë punën e tyre vazhdimisht dhe me sukses.
“Në çdo kohë dhe situatë, sapo të informohen nga portalet lokale apo nga qytetarët, zjarrfikësit tanë janë gjithmonë në gjendje gatishmërie,” tha Shabani. Ai shtoi se banorët dhe qytetarët e Suharekës duhet të ndihen të sigurt, pasi shërbimi i tyre është 24/7, madje edhe gjatë festave.
Lidhur me dëmet e shkaktuara nga zjarret, Shabani bëri të ditur se, fatmirësisht, dëmet janë shkaktuar kryesisht në djerrina dhe jo në njerëz apo pasuri.
Drejtori Shabani gjithashtu informoi se ekipit të zjarrfikësve i janë shtuar katër pjesëtarë të rinj, të cilëve u uroi sukses në punën e tyre, duke theksuar se ky profesion është fisnik, por ka edhe rreziqet e veta.