Rrëfimi i K83-it, ish-polic nga Suhareka që dëshmoi krimet serbe në Gjykatën e Hagës

Rrëfimi i K83-it, ish-polic nga Suhareka që dëshmoi krimet serbe në Gjykatën e Hagës
Herolind Bytyçi

06.05.2021 / Suhareka

Në  aktakuzën prej 1773 faqesh të ngritur nga Tribunali i Hagës më 26 shkurt 2009 kundër: Millan Millutinoviqit, Nikolla Shainoviqit, Dragolub Ojdaniqit, Nebojsha Pavkoviqit, Vladimir Llazareviqit dhe Sreten Llukiqit në mesin e shumë krimeve që janë kryer në Kosovë 33 faqe  janë pjesë e krimeve të kryera në Komunën e Suharekës.

Në aktakuzë përmenden versionet e dëshmitarëve nga ana e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe që vepruan në Suharekë. Prokuroria dhe Mbrojtja paraqitën një numër dëshmitarësh për të folur për krimet konkrete që janë kryer në Komunën e Suharekës dhe për situatën që mbretëronte në vitin 1998 dhe 1999.

Gjatë përpilimit të konkluzioneve përfundimtare në lidhje me akuzat për vrasje dhe shpërngulje në qytetin e Suharekës, dhoma është bazuar edhe në dëshmitë e dhëna nga dëshmitari i prokurorisë rezervistivendas i MPB-së, i koduar me emrin K83, shkruan SuharekaOnline.

K83-shi dëshmoi se, që nga viti 1998, situata në Komunën e Suharekës u keqësua. UÇK-ja ishte e vendosur në veri dhe lindje të qytetit në drejtim të Malishevës, Budakovës, dhe Krushicës së Epërme, kurse policia nuk kishte njerëz të mjaftueshëm për t’i kontrolluar këto zona.  Patrullat e MPB-së sulmoheshin shpesh dhe në shumë raste rezultonin në policë të plagosur ose të vrarë. Si rezultat i mungesës së personelit policor, K83 u detyrua të punonte si polic me orar të plotë gjatë tërë vitit 1998. Ai patrullonte qytetin dhe fshatrat përreth. Patrullat bëheshin zakonisht me makina të blinduara të prodhimit rus të quajtura “Gazika.” Përgjatë rrugëve kishte postblloqe policore për të parandaluar sulmet e UÇK-së dhe për të kontrolluar trafikun. “Betejat” me UÇK-në bëheshin tri deri pesë kilometra nga ndërtesa e DPB-së në Suharekë, në rrugën për Reshtan, por jo në qendër të qytetit. Gjithashtu K83-shi tha se nga Serbia erdhën përforcime ushtarake dhe policore që u vendosën në qytet dhe fshatrat përreth.

Bozhidar Deliqi gjithashtu dëshmoi se nga qershori 1998, UÇK-ja kontrollonte fshatrat në trekëndëshin Suharekë-Prizren-Rahovec, duke përfshirë Studençanin, Samadraxhën, Maçitevën, dhe Budakovën, si dhe zonën përreth Suharekës. Me gjithë praninë e vëzhguesve të KVM-së situata në vitin 1999 nuk u përmirësua, në fakt UÇK-ja e zgjeroi kontrollin mbi atë zonë. Rrjedhimisht, në shkurt të vitit 1999, Deliqi përpiloi një raport mbi gjendjen e sigurisë për Komandën e Korpusit të Prishtinës, ku informonte se trafiku në rrugën Suharekë-Rahovec ishte çrregulluar plotësisht, se pjesë të rrugës ishin nën kontrollin e plotë të UÇK-së dhe se UÇK-ja kontrollonte thuajse tërë hapësirën ndërmjet Prizrenit, Suharekës, dhe Malishevës.

Sipas një raporti të përpiluar nga Qendra e RDB-së në Prizren në janar 1999, shumica e fshatrave në territorin e Komunës së Suharekës ishin nën kontrollin e UÇK-së, përfshirë Bellanicën, Lladrocin, Samadraxhën, Studençanin, Dobërdolanin, Bllacën, Peqanin, Semetishtën, dhe Nishorin. Raporti pretendonte se të gjitha këto fshatra shërbenin si brez sigurie për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Breshanc, duke e mbrojtur nga sulmet.  Në mars 1999, sipas një dokumenti tjetër të RDB-së, Shtabi i Përgjithshëm në Breshanc kishte një numër të madh pjesëtarësh të UÇK-së nën komandën e tij, të dislokuar në grupe në 40 fshatra anembanë komunës. UÇK-ja kishte pozicione të fortifikuara në veri dhe veriperëndim të qytetit të Suharekës. Dhoma vëren se shumë dokumente të RDB-së përmendin mijëra ushtarë të UÇK-së në komunë.

K83 dëshmoi se në fillim të vitit 1999, eprori i tij i parë në DPB-në e Suharekës ishte Nenad Jovanoviqi.  Në stacionin e DPB-së ishin të pranishëm edhe dy oficerë të RDB-së, njëri prej të cilëve ishte Millorad (Mishko) Nishaviqi, pronar i hotelit Boss në fshatin e afërm të Shirokës. Sidoqoftë, K83-shi e dinte se RDB-ja dhe RJB-ja kishin hierarki, arkiva kompjuterike të të dhënave, dhe kanale informacioni të veçanta brenda DPB-së.  Rrjedhimisht sipas K83-shit, shefi i DPB-së nuk kishte pushtet mbi oficerët e RDB-së.  Lubivoje Joksiqi konfirmoi se RDB-ja kishte një “degë vendore” në qytetin e Suharekës. Ai gjithashtu konfirmoi se RDB-ja kishte sistemin e vet të pavarur të drejtimit dhe se askush nga RJB-ja nuk kishte pushtet mbi askënd në RDB.

K83-shi i tha Dhomës se shumica e atyre që punonin në godinën e DPB-së ishin vendas nga komuna. Vetë Nishaviqi ishte nga Suhareka dhe ishte i njohur në qytet, ku kishte disa biznese të tjera përveç hotelit. Më 12 shtator 1998, hoteli i tij u godit nga një predhë. Në një rast tjetër në vitin 1998, ai u qëlluar me armë zjarri dhe u plagos.  K83-shi nuk ofroi ndonjë të dhënë mbi autorët e mundshëm të sulmeve dhe motivet e tyre.

DPB-ja e Suharekës ishte nën komandën e SPB-së së Prizrenit dhe, rrjedhimisht i raportonte asaj.  Mirëpo në fund të marsit 1999, komunikimi midis tyre u ndërpre për 4 – 5 ditë pasi NATO-ja bombardoi ndërtesën e SPB-së në Prizren dhe e dëmtoi rëndë. Udhëtimi midis dy qyteteve ishte i mundshëm dhe komunikimi mbahej në këtë mënyrë. Gjithashtu, mbeti i pandërprerë funksionimi me disa lloje radiokomunikimi.

Dhoma gjithashtu dëgjoi dëshmi bindëse në lidhje me vrasjet në Suharekë nga polici K83, i cili mori pjesë në sulm. K83-shi dëshmoi se në mëngjesin e 26 marsit 1999, ai, Nenad Jovanoviqi, Radovan Tanoviqi, Sllagjan Çukariqi, dhe Miki Petkoviqi kishin qenë në një fushë duke patrulluar fshatin Gjinoc. Kur u kthyen në godinën e DPB-së në Suharekë, panë dy kamionë të parkuar përballë saj. Policët e Detashmentit të 37-të të PJP-së, i njohur si njësia e “Çegarit,” po dilnin nga kamioni dhe u nisën në këmbë rrugës për në Reshtan. Komandanti i tyre, Radosllav Mitroviqi, me emrin e koduar “Çegar 1” arriti me landrover.  Njësia e Çegarit kishte rreth 40 pjesëtarë të veshur me uniforma kamuflimi të gjelbra me jelekë ushtarakë kamuflimi, me fjalën “policia” shkruar me shkronja të bardha në shpinë. K83-shi dëshmoi se Mitroviqi shkoi te Jovanoviqi dhe filloi t’i bërtiste atij dhe të tjerëve që të mos bënin sehir, por të “lëviznin” dhe të shkonin pas njësisë. Jovanoviqi dhe të tjerët u befasuan, por shkuan me njësinë e Çegarit në drejtim të shtëpive të para në atë zonë dhe te shtëpia ku “kishte qenë më parë OSBE-ja, Çukariqi u tha të tjerëve të ndaleshin në anën e majtë dhe të djathtë të shtëpisë që askush të mos shtinte në ta. Persona nga njësia e Çegarit u pozicionuan afër shtëpive që ndodheshin rreth shtëpive të Berishëve, por nuk ishin me K83-shin dhe grupin e tij. Sidoqoftë, K83-shi konfirmoi se kishte pasur njëfarë “ndarje pune” apo “bashkëveprim” sepse grupi i K83-shit kishte bërë të mundur rrethimin e të gjitha shtëpive në atë zonë nga forcat policore. Vërtet, duke shikuar vizatimin e bërë nga K83-shi të lëvizjeve të njësisë së Çegarit, është e qartë se ata vërshuan atë zonë, duke e rrethuar plotësisht.

Njësia e Çegarit hapi zjarr, edhe pse K83-shi nuk ishte në gjendje të jepte hollësi se kundër kujt kishin hapur zjarr dhe a iu përgjigj dikush këtij zjarri. Njësia e Çegarit vazhdoi më tej përgjatë rrugës së Reshtanit. K83-shi tha se ai ishte i frikësuar sepse “krismat vinin nga të gjitha anët” dhe ai nuk kishte ku të fshihej. Nuk ka dëshmi se ndokush hapi zjarr kundër pjesëtarëve të MPB-së. Me të filluar krismat, Jovanoviqi iku dhe i braktisi K83-shin, Çukariqin, Tanoviqin, dhe Petkoviqin. Në atë moment, K83-shi pa gra e fëmijë duke dalë nga shtëpia e Vesel Berishës dhe duke vrapuar në drejtim të qendrës tregtare. Ai shkoi te Tanoviqi dhe Çukariqi, të cilët ndodheshin prapa shtëpisë së Shyhrete Berishës dhe po kontrollonin letërnjoftimet e katër burrave.  Katër burrat u rreshtuan me fytyrë nga muri. K83-shi u urdhërua të shkonte pas grave, fëmijëve, dhe pleqve dhe të raportonte për vendndodhjen e tyre. Pastaj ai pa kur Çukariqi dhe Tanoviqi vranë katër burrat.

K83-shi u nis në drejtim të stacionit të autobusëve dhe qendrës tregtare, siç ishte urdhëruar. Te stacioni i autobusëve pa një burrë dhe një plakë të plagosur në këmbë të shtrirë në trotuar. Ai shkoi në drejtim të rrugicës në të cilën ndodhej piceria. Ai pa rreth 35 – 40 gra e fëmijë, që dukej se ishin ngujuar në piceri. K83-shi u kthye pas dhe u takua me Çukariqin dhe Tanoviqin dhe u tregoi se ku ndodheshin njerëzit. Ata i thanë të shkonte në kafenenë më të afërt dhe të sillte pije. Gjatë rrugës ai kaloi përsëri pranë burrit dhe gruas së plagosur të shtrirë në tokë. Ai mori dy shishe njëlitërshe me pije alkoolike nga kafeneja. Gjatë kohës që ishte atje, dëgjoi krisma. Kur u kthye në drejtim të picerisë, ai pa se të dy ishin qëlluar me plumba në kokë dhe ishin të vdekur. Sllagjan Çukariqi ndodhej afër tyre me pushkë në dorë. K83-shi, Çukariqi (i cili përdorte radion Motorola), Tanoviqi, dhe Petkoviqi, i pinë me shpejtësi dy shishet me pije alkoolike. Pastaj, Çukariqi nxori një bombë dore, u tha të tjerëve të fshiheshin dhe u nis në drejtim të picerisë. K83-shi nuk mund ta shihte picerinë nga vendi ku ishte, por dëgjoi zhurmën e thyerjes së dritares dhe pastaj një shpërthim. Në pritje që të largohej tymi, Çukariqi dhe Tanoviqi hapën zjarr me radhë brenda në piceri. Pastaj Tanoviqi hodhi brenda edhe një bombë dore dhe të dy vazhduan të shtinin. K83-shi dëshmoi se i kërkuan të merrte pjesë, por ai nuk ishte në gjendje dhe ata nuk këmbëngulën.

Më në fund ata i ndërprenë të shtënat dhe piceria ra në heshtje. Çukariqi i tha Petkoviqit të rrinte në fillim të rrugicës dhe K83-shi të shkonte në fund që të mos i linin njerëzit të afroheshin.  Pas 15-20 minutash arritën Boban Vuksanoviqi, komandant vendas i mbrojtjes civile dhe (emri nuk dihet) Gjorgjeviqi, komandant i “Mbrojtjes Territoriale.”  Gjysmë ore më vonë erdhi një kamion civil me katër persona brenda. Vuksanoviqi thirri një grup meshkujsh të njësisë së mbrojtjes civile, i cili përbëhej kryesisht nga të rinj afërsisht të moshës 15-vjeçare dhe burra afërsisht të moshës 50-60 vjeç. Çukariqi u tha se do t’i vriste nëse nuk i zbatonin urdhrat dhe nuk i ngarkonin kufomat në kamion. Pasi e mbushën, kamioni u nis në drejtim të Prizrenit.

Menjëherë pas nisjes së të parit, mbërriti një kamion tjetër i zbrazët dhe njerëzit kishin vazhduar të ngarkonin në të kufomat e mbetura. Kur po ngarkohej kamioni i dytë, K83-shi pa Jashar Berishën të cilin po e sillnin te piceria nga drejtimi i stacionit policor dhe pikës së karburantit. Ai u soll me makinë i shoqëruar nga disa policë, njëri prej të cilëve ishte Todor Jovanoviq. Teksa po dilte nga makina, kamioni dhe kufomat që po ngarkoheshin dukeshin hapur. Pastaj atë e tërhoqën zvarrë në drejtim të picerisë ndërsa ai mundohej të lirohej. Jashari i tha Vuksanoviqit se nuk e meritonte këtë. Pas kësaj, Çukariqi e kapi për krahu, e shtyu në drejtim të picerisë dhe e vrau me automatik. Sipas K83-shit, ngjarjen e panë shumë dëshmitarë. Më tej kufoma e Jasharit iu shtua kufomave të ngarkuara në kamion. Pasi u ngarkuan të gjitha kufomat, kamioni u nis në drejtim të Prizrenit. K83-shi qëndroi aty dhe pa Çukariqin kur urdhëroi ekipin e mbrojtjes civile që të hidhnin rërë e dhé në piceri për të mbuluar njollat e gjakut. Mirëpo kjo nuk ishte e mundshme sepse në rrethinë nuk kishte rërë. Pas largimit të Çukariqit, Tanoviqi qëndroi atje dhe i vuri zjarrin perdeve të dritareve të picerisë. Kjo nuk pati efekt të madh sepse gjithçka brenda saj ishte metalike dhe nuk digjej.

Të nesërmen K83-shi u udhëzua që t’i tregonte “mbrojtjes civile” se ku ishin kufomat e tjera të shpërndara nëpër qytet për t’u mbledhur. Një ekip hetuesish nga SPB-ja e Prizrenit bëri hetim para transportimit të kufomave dhe varrosjes në varre të veçanta me kod në varrezë, që ishte procedurë standarde për hetimin e vendeve të krimit dhe për varrime. Ekipi përfshinte Todor Jovanoviqin, personin i cili kishte sjellë Jashar Berishën në piceri një ditë më parë. K83-shi shkoi me ekipin te shtëpitë e Berishëve, ku gjetën kufomat e katër burrave që ishin vrarë një ditë më parë, por ekipi nuk u çua asnjëherë te piceria. Pasi kishin vizituar shtëpitë e Berishëve, ata vazhduan në drejtim të godinës së policisë dhe pastaj në drejtim të Reshtanit, duke ndjekur rrugën që kishte përshkuar njësia e Çegarit një ditë më parë. Ata gjetën edhe kufoma të tjera në shtëpi të ndryshme, shumica e të cilave ishin meshkuj dhe të gjithë ishin vrarë me armë zjarri. K83-shi i tha Dhomës se shumë nga kufomat ishin civilë.

Rrugës për në Reshtan u hap zjarr mbi ekipin, i cili ishte me uniforma të rregullta të MPB-së dhe në makinë të rregullt të MPB-së. Sidoqoftë, K83-shi nuk u pyet se kush e kreu këtë sulm. Ai tregoi se kur u kthyen te shtëpitë e Berishëve më 28 mars 1999 ata gjetën një kufomë gruaje. Ajo ishte rreth 50-60 vjeçe dhe këmba dhe një pjesë e dorës ishin të djegura. K83-shi nuk ishte në gjendje të shpjegonte arsyen e pranisë së një kufome gruaje atje një ditë pas mbledhjes së katër kufomave të tjera. Bazuar në faktin se ekipi nuk shkoi në piceri, edhe pse në të ishte Jovanoviqi dhe udhërrëfyes ishte K83-shi të cilët ishin në dijeni të vrasjeve që kishin ndodhur atje,

Dhoma gjykon se përgjithësisht ky hetim nuk u krye sipas procedurës normale. K83-shi konfirmoi se në kohën e kryerjes së vrasjeve në piceri, në qytet nuk kishte prani të UJ-së (Ushtrisë Jugosllave). UJ-ja ishte e vendosur jashtë qytetit të Suharekës, në një vend strategjik të rëndësishëm në malin e afërt, të quajtur Duhël, ku sulmohej rregullisht nga UÇK-ja.

K83-shi gjithashtu deklaroi se në mëngjesin e 26 marsit 1999, para vrasjeve, ai u udhëzua nga përgjegjësi i ndërrimit, siç bëhej zakonisht, por këto udhëzime nuk përfshinin urdhra për të vrarë njerëz apo për të shkuar në shtëpitë e Berishëve. Ai nuk kishte dijeni të ndonjë urdhri apo komande dhënë patrullës së tij për të vrarë dikë. Ai gjithashtu konfirmoi se, gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet e Beogradit në lidhje me incidentin e familjes Berisha, kishte thënë se Berishët ishin gjaknxehtë dhe se ka të ngjarë që Çukariqi dhe Tanoviqi i urrenin sepse familja e tyre kishte qenë e afërt me vëzhguesit e KVM-së, që do të thotë se askush nuk mund t’i prekte. Ai konfirmoi se banorët e Suharekës flisnin për incidentin e Berishëve pas ngjarjes dhe se edhe ai vetë foli për të me bashkëpunëtorët dhe kolegët. Ai nuk dinte nëse eprorët e tij dëgjuam ndonjërën prej këtyre bisedave, por besonte se eprori i tij i drejtpërdrejtë, Jovanoviqi, u vu në dijeni për incidentin më pas.

RAPORTO