Rënie e asistencës sociale në Suharekë – Përmirësim apo neglizhencë ndaj familjeve në nevojë?
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat e Mirëqenies Sociale për muajin tetor 2025.
Sipas këtyre të dhënave që përcjellë SuhrekaOnline bëhet e ditur se numri i familjeve që kanë përfituar nga asistenca sociale në Komunën e Suharekës po vazhdon të shënoj rënie.
Në tetor të këtij viti janë regjistruar gjithsej 316 familje të cilat kanë përfituar nga kjo skemë. Numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e asistencës sociale në Suharekë që nga fillimi i këtij viti ka ndryshuar nga muaji në muaj.
Numri më i madh i familjeve që kanë përfituar nga kjo skemë në Suharekë është regjistruar në muajin janar, 344, ndërsa ai më i vogël u regjistrua në tetor 2025.
| Muaji | Numri i familjeve që kanë përfituar asistencë sociale në Suharekë |
| Janar, 2025 | 344 |
| Shkurt, 2025 | 338 |
| Mars, 2025 | 336 |
| Prill, 2025 | 335 |
| Maj, 2025 | 328 |
| Qershor, 2025 | 332 |
| Korrik, 2025 | 329 |
| Gusht, 2025 | 325 |
| Shtator, 2025 | 319 |
| Tetor, 2025 | 316 |
Pra, sipas të dhënave zyrtare që ka SuharekaOnline, gjithnjë e më pak familje po përfshihen në skemat sociale, duke ngritur dilema nëse kjo është pasojë e përmirësimit të gjendjes financiare të qytetarëve apo nëse disa prej familjeve në nevojë po mbeten jashtë ndihmës institucionale.
Ndërsa, numri i anëtarëve të familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmë sociale në Suharekë në tetor të këtij viti është 1.328, numër ky poashtu më i vogël se gjatë muajve paraprak.
Çfarë do të thotë mbështetje sociale nga shteti?
Mbështetja sociale përfshin skemat financiare që shteti ofron për kategori të ndryshme të popullsisë që kanë nevoja të veçanta ekonomike, shëndetësore apo sociale. Këto skema kanë për qëllim:
- Të sigurojnë minimumin jetik për ata që nuk mund ta sigurojnë vetë.
- Të mbështesin grupet vulnerabile, si persona me aftësi të kufizuar, familjet e varfra, të moshuarit pa të ardhura, veteranët e luftës etj.
- Të promovojnë barazinë sociale dhe të ulin pabarazinë ekonomike.
- Të sigurojnë dinjitet social për ata që për shkak të rrethanave shëndetësore, moshës apo pamundësive nuk mund të punojnë.
Pse bëhet kjo mbështetje?
Për tre arsye kryesore:
- Arsye ekonomike: Pa ndihmë financiare, familjet në nevojë do të përballeshin me varfëri ekstreme, e cila mund të shkaktojë pasoja afatgjata në shëndet, arsim dhe mirëqenie.
- Arsye sociale: Shteti ka detyrimin të kujdeset për kategoritë e cenueshme dhe të sigurojë një nivel minimal jetese.
- Arsye zhvillimore: Mbështetja ekonomike ndihmon familjet të mos bien në varfëri të thellë, duke u mundësuar të marrin pjesë në shoqëri dhe ekonomi.
Sa u ndihmon asistenca sociale përfituesve?
Asistenca sociale shpeshherë është burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje. Ajo:
- U mundëson të sigurojnë ushqim, barna dhe shërbime bazike.
- Ndihmon në mbajtjen e stabilitetit socio-ekonomik.
- Mbështet edukimin e fëmijëve dhe shmangjen e braktisjes shkollore.
- Lehtëson barrën e kujdesit për personat me aftësi të kufizuara.
Megjithatë, shumë herë është vlerësuar se mbështetja aktuale nuk mjafton për të mbuluar kostot e jetës, duke nxjerrë nevojën për reforma më të thella në sistemin e mirëqenies sociale.