Qeveria kufizon mëditjet, Komandanti i Policisë në Suharekë detyrohet t’i mbulojë vetë shpenzimet në Dubai

01.11.2025

Komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, Safet Hoxha, ka qenë pjesë e një trajnimi prestigjioz katërmujor për inovacion dhe lidership në Rochester Institute of Technology (RIT) në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vlera e programit ishte rreth 100 mijë euro, ndërsa për Hoxhën dhe shtetin e Kosovës kjo mundësi u realizua pa asnjë kosto financiare.

Trajnimi ishte pjesë e një ftesë të bërë nga Akademia e Policisë së Dubait, që kishte përzgjedhur 59 pjesëmarrës nga 39 shtete. Hoxha u përzgjodh në bazë të konkursit ndërkombëtar dhe përfaqësoi Kosovën në këtë program elitar ku fokusi kryesor ishte inovacioni, lidershipi dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në sektorin e sigurisë publike.

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme profesionale dhe akademike. Jemi trajnuar në fusha të inteligjencës artificiale, transformimit të qyteteve në smart city dhe aplikimit të sistemeve inteligjente në siguri. Pjesë e ligjëratave ishin edhe ekspertë dhe kompani nga projektet më të mëdha botërore si qyteti The Line në Arabinë Saudite”, ka treguar Hoxha për Betimi për Drejtësi.

Gjatë trajnimit, ai dhe kolegë nga shtete të Evropës realizuan një punim shkencor rreth përdorimit të inteligjencës artificiale në rritjen e sigurisë në aeroporte – një projekt që tashmë është pilotuar dhe zbatuar në Aeroportin e Dubait.

Sistemet e përdorura përfshinin detektimin automatik të kërcënimeve përmes kamerave inteligjente, evidentimin e bagazheve të braktisura, matjen automatike të temperaturës trupore për identifikimin e sëmundjeve dhe algoritme për dallimin e armëve të policisë nga ato të civilëve, me qëllim shmangien e alarmeve false.

Megjithatë, gjatë qëndrimit katërmujor, Hoxha u përball me një sfidë të madhe financiare. Pas një muaji në Dubai – një nga qytetet më të shtrenjta në botë – atij iu ndërpre mëditja, sipas rregullores së Qeverisë së Kosovës që lejon mbulimin e shpenzimeve për maksimum një muaj për trajnimet e huaja.

“Pas dy muajve e kam shqyrtuar seriozisht kthimin. Çmimet në Dubai janë jashtëzakonisht të larta dhe mëditja nuk mbulonte as nevojat minimale. Mund të mbijetoje vetëm nëse qëndroje brenda katër muaj, pa dalë asnjëherë jashtë. Edhe larja e rrobave apo shërbime të thjeshta atje kanë kosto shumë të larta”, tha Hoxha.

Ai thotë se për çështjen e mëditjeve ishte diskutuar me Policinë e Kosovës, por Zyra Ligjore kishte konfirmuar se nuk mund të bëhej asnjë pagesë shtesë, pasi do të binte ndesh me rregulloren e miratuar nga Qeveria e Kosovës.

“Mendimi ligjor ka qenë i qartë – nuk lejohet mbulimi i shpenzimeve për periudhë më të gjatë se një muaj. Çdo financim tjetër do të binte ndesh me rregulloren në fuqi”, konfirmoi majori Avdi Berisha nga Policia e Kosovës.

Pavarësisht sfidave financiare, Hoxha e përfundoi me sukses trajnimin, duke sjellë eksperienca dhe njohuri të nivelit më të lartë në fushën e sigurisë moderne, inteligjencës artificiale dhe menaxhimit të projekteve të sigurisë në qytete inteligjente.

Ai thekson se synimi i tij është që njohuritë e përfituara t’i zbatojë në institucionet e sigurisë në Kosovë, duke kontribuar në modernizimin e Policisë dhe përdorimin e teknologjive bashkëkohore në shërbim të qytetarëve.