Premtimi i përmbushur për sheshin e qytetit në Suharekë

07.04.2021

Më 6 nëntor të vitit 2019 operatori ekonomik kishte filluar punimet në rregullimin e rrugës “Brigada 123” apo siç po quhet “Sheshi i Qytetit” në Suharekë. Për fazën e parë të ndërtimit të kësaj pjese të qytetit janë ndarë 1.7 milion euro. Ndërtimit të sheshit i cili do të nis nga udhëkryqi te Bodrumi i […]

Premtimi i përmbushur për sheshin e qytetit në Suharekë Foto: Ilustrim

Më 6 nëntor të vitit 2019 operatori ekonomik kishte filluar punimet në rregullimin e rrugës “Brigada 123” apo siç po quhet “Sheshi i Qytetit” në Suharekë.

Për fazën e parë të ndërtimit të kësaj pjese të qytetit janë ndarë 1.7 milion euro. Ndërtimit të sheshit i cili do të nis nga udhëkryqi te Bodrumi i Verës dhe postës së qytetit, kalon tek Ura e Madhe dhe përfundon te vendi që quhet Ura e Vogël, ose pranë objektit të zjarrfikësve, në shtator të 2020’s i janë shtuar edhe 500 mijë euro.

Kjo me vendim të asamblesë komunale, e cila në mbledhjen e fundit në muajin gusht ka vendosur që në kuadër të rezervave buxhetore për vitin 2020 të ndahen edhe 500 mijë euro për ndërtimin e “Sheshit të Qytetit”.

Ndërsa, Komuna e Suharekës më datë 15 mars, të vitit 2021, ka njoftuar se përsëri ka hapur tender për punë shtesë në ”Sheshin e Qytetit” në vlerë prej 82 209,00 euro.

Edhe pse për shkak të punimeve e vonesave qytetarët kishin vështirësi në qarkullim, sheshi i qytetit të Komunës së Suharekës tashmë ka pamjen përfundimtare, përderisa ndërtimi i tij u shoqërua me ankesa dhe telashe.