Prapë ndërrohet “komandanti”, toger Safet Hoxha merr drejtimin e stacionit policor në Suharekë

31.07.2025

Pas disa ditësh pa komandant në krye të Stacionit Policor në Suharekë, më 27 korrik 2025 togeri Bashkim Gashi ishte caktuar përkohësisht përgjegjës të kryejë detyrat e komandantit të stacionit policor në Suharekë.

Në një komunikim zyrtar të nënshkruar nga zëvendësdrejtori rajonal i Policisë, nënkolonel Lulzim Shala, theksohej se me urdhër të Drejtorit Rajonal, togeri Bashkim Gashi – shef i sektorit të operativës – është ngarkuar përgjegjës të kryejë detyrat e komandantit të stacionit në Suharekë, deri në një vendim të ri zyrtar.

Mirëpo, ende pa u bërë një javë Gashi është zëvendësuar me toger Safet Hoxha, i cili sipas burimeve të SuharekaOnline dje ka pranuar vendimin për marrjen e komandës së stacionit policor në Suharekë.

Edhe pse në bazë të statutit që ka stacioni policor në Suharekë, rolin e komandantit duhet ta ketë një zyrtar policor me gradën kapiten, brenda një jave dy toger janë ngarkuar me përgjegjësitë e komandantit.

Kapiten Afrim Sylaj, i cili më herët mbante këtë pozitë, ishte transferuar javë më parë në Prizren. Sylaj kishte konfirmuar për SuharekaOnline se tashmë është caktuar zyrtarisht në Qendrën Rajonale Operative të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.