Pandemia iu vuri dryrin 35 bizneseve në Komunën e Suharekës

Pandemia iu vuri dryrin 35 bizneseve në Komunën e Suharekës
Herolind Bytyçi

10.04.2021 / Suhareka

Gjatë kohës së pandemisë COVID-19, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, janë mbyllur 761 biznese të cilat kanë pasur të punësuar 1,316 punëtorë në Kosovë.

Numri më i madh i bizneseve zyrtarisht të mbyllura kanë punuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga industria përpunuese, hoteleria dhe akomodimi.

Në listën e bizneseve të mbyllura figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit, informimit dhe komunikimit dhe sektorë të tjerë.

Procedurat e mbylljes së biznesit janë të shumta dhe shumica e bizneseve hezitojnë të fillojnë procedurat, pasi që kërkohen shumë dokumentacione. Numri i bizneseve që sot nuk po funksionojnë janë me mijëra. Përveç kësaj ka edhe shumë biznese të cilat kanë reduktuar edhe stafin dhe janë në prag të mbylljes.

Kështu sipas të dhënave zyrtare të ASK-së vetëm gjatë vitit 2020 në Komunën e Suharekës janë mbyllur 35 biznese.

Në TM1(tremujorin e parë) janë mbyllur 12 biznese, TM2 3 biznese, TM3 11 biznese dhe TM4 9 biznese.

RAPORTO