Zhvendosja e “Tregut Javor” në Shirokë, Komuna e Suharekës zoton 365 mijë euro

18.04.2024

Të mërkurën kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, përmes një shkrimi në faqen zyrtare të tij ka njoftuar qytetarët e Suharekës se pamja aktuale e vendit ku zhvillohet tregu javor do të ndryshohet.

Zhvendosja e “Tregut Javor” në Shirokë, Komuna e Suharekës zoton 365 mijë euro Foto: Ilustrim

Tutje Muharremaj ka bërë të ditur se tregu javor do të zhvendoset diku tjetër dhe se në vendin e njëjtë do të krijohet një ambient më i bukur sportiv.

Për realizimin e këtij projekti procedurat tenderuese tashmë kanë filluar, ku sipas njoftimit të zyrës së prokurimit tregu javor do të bartet në Shirokë, e projekt për të cilin Komuna e Suharekës ka zotuar 365,014.53 euro.

Operatorët ekonomik kanë afat kohor deri më datën 8 maj 2024 që të dorëzojnë ofertat e tyre për realizimin e këtij projekti.

Në bazë të thirrjes për ofertim projekti planifikohet që të realizohet brenda 150 ditëve që nga momenti i nënshkrimit të kontratës.