Pandemia COVID-19, rritet numri i shfrytëzuesve të sallës në bibliotekën e qytetit në Suharekë

01.03.2021

Në një raport të ASK-së për vitin 20219 biblioteka e qytetit “Hajdin Berisha” në Suharekë për nga numri i lexuesve ishte renditur e treta në nivel të komunave, edhe pse për nga numri i titujve qëndron më poshtë se shumica e bibliotekave të komunave tjera me gjithsej 18,460 libra. Edhe në vitin 2020, pavarësisht situatës […]

Pandemia COVID-19, rritet numri i shfrytëzuesve të sallës në bibliotekën e qytetit në Suharekë Foto: Ilustrim

Në një raport të ASK-së për vitin 20219 biblioteka e qytetit “Hajdin Berisha” në Suharekë për nga numri i lexuesve ishte renditur e treta në nivel të komunave, edhe pse për nga numri i titujve qëndron më poshtë se shumica e bibliotekave të komunave tjera me gjithsej 18,460 libra.

Edhe në vitin 2020, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në këtë bibliotekë janë regjistruar një numër i madh i lexuesve.

Organizata joqeveritare ”SixBits” ka mbledhur të dhëna zyrtare për numrin e personave që kanë lexuar libra, numrin e shfrytëzuesve të sallës, numrin e librave të lexuara, numrin e lexuesve – fëmijë dhe numrin e lexuesve – të rritur për dy vitet e fundit 2019-2020.

Në bazë të këtyre të dhënave nga kjo organizatë bëhet e ditur se në vitin 2020 numri i lexuesve ka qenë 1187 me 6434 libra të lexuara, që shënon pak rënie në krahasim me vitin 2019 ku ishin 1466 lexues dhe rreth 10,389 libra të lexuara.

Poashtu nga të dhënat e organizatës joqeveritare ”SixBits” është bërë e ditur edhe numri i shfrytëzuesve të sallës gjatë dy vitëve të fundit, ku në vitin 2019 janë regjistruar 7221 shfrytëzues, numër ky që në vitin 2020 edhe pse në kohë pandemie është rritur në 7285 persona që e kanë shfrytëzuar sallën e bibliotekës së qytetit ”Hajdin Berisha”.

Redaksia e SuharekaOnline ka kontaktuar me menaxheren e bibliotekës “Hajdin Berisha” në Suharekë, Tahire Elshani, e cila ka bërë të ditur se pavarësisht situatës me pandeminë gjatë vitit 2020 dhe faktit që biblioteka ka qenë e mbyllur prej 15 mars 2020 deri më 2 qershor 2020, numri i lexuesve ka qenë i kënaqshëm.

znj. Elshani gjithashtu ka treguar se edhe në dy muajt e parë të vitit 2021 (janar dhe shkurt) numri i lexuesve ka arritur në 585.

Tutje ajo ka apeluar tek të gjithë lexuesit që ti kthejnë librat pas leximit.