Mungesa e furnizimit me energji elektrike në Suharekë, KEDS tregon arsyen

18.11.2025

Që nga ora 03:57 e mëngjesit të sotëm, shumë fshatra dhe lagje të Komunës së Suharekës kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike si pasojë e kushteve të rënda atmosferike.

Banorët raportojnë ndërprerje të gjera, ndërsa për momentin ende nuk ka një afat të saktë se kur furnizimi do të rikthehet plotësisht.

SuharekaOnline ka kontaktuar KEDS, të cilët kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një prishje në tensionin e lartë. Për këtë arsye, ekipet e punuese janë aktualisht në terren duke punuar për identifikimin dhe sanimin e defektit.

Sa i përket kohës së stabilizimit të situatës, nga KEDS kanë thënë se nuk mund të japin një përgjigje të saktë, pasi zgjidhja e prishjes është në kompetencë të KOSTT.

Screenshot

Ndërsa nga KOSTT bëhet e ditur se për të mundësuar intervenimin e ekipeve të KEDS në seksionin e zbarrës 10 kV (pjesë e rrjetit të KEDS), në Nënstacionin Theranda është bërë shkyçja e transformatorëve energjetikë TR1 dhe TR2 110/10 kV, pas veprimit të mbrojtjes mbirrymore në anën 10 kV. Si pasojë, konsumatorët që furnizohen nga TR1 dhe TR2 në NS Theranda janë pa energji elektrike deri në përfundimin e punimeve dhe eliminimin e problemit.

Sipas informatave, ekipet e KEDS janë të angazhuara në terren dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për rikthimin sa më të shpejtë dhe të sigurt të furnizimit me energji elektrike.

Banorëve u kërkohet durim deri në normalizimin e furnizimit, ndërsa SuharekaOnline do të vazhdojë të informojë me të gjitha përditësimet e reja.