Muharremaj: Është jonjerëzore që shteti serb vazhdon të mbajë varreza sekrete të viktimave të pafajshme të luftës

30.08.2021

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 22 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive […]

Muharremaj: Është jonjerëzore që shteti serb vazhdon të mbajë varreza sekrete të viktimave të pafajshme të luftës Foto: Ilustrim

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 22 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se është paradoksale, jonjerëzore dhe e pamoralshme, që shteti serb vazhdon ende të mbajë varreza sekrete të viktimave të pafajshme të luftës.

Kryetari Muharremaj ka shtuar se në Komunën e Suharekës ashtu si në gjithë Kosovën, ende ka familje të cilat presin me ankth zbardhjen e fatit për familjarët e tyre.

“Ata janë pjesë e pazëvendësueshme e të vërtetës për luftën e Kosovës, dhe kjo plagë ende na shqetëson”, ka shkruar Muharremaj në Facebook.

Postimi i plotë:

Sot është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve

Në Komunën e Suharekës ashtu si në gjithë Kosovën, ende ka familje të cilat presin me ankth zbardhjen e fatit për familjarët e tyre

Është paradoksale, jonjerëzore dhe e pamoralshme, që shteti serb vazhdon ende të mbajë varreza sekrete të viktimave të pafajshme të luftës.

Ata na mungojnë!

Ata janë pjesë e pazëvendësueshme e të vërtetës për luftën e Kosovës, dhe kjo plagë ende na shqetëson.