Mekanizmi kundër dhunës në familje mban takimin e parë për vitin 2025, rastet e dhunës në rritje shqetësuese
Mekanizmi Kundër Dhunës në Familje (MKDHF) ka mbajtur takimin e parë për vitin 2025, duke analizuar situatën shqetësuese të dhunës në familje në tremujorin e parë të vitit.
Takimi, i zhvilluar në Suharekë, mblodhi anëtarët e mekanizmit për të diskutuar dhe adresuar rritjen e rasteve të dhunës, duke kërkuar zgjidhje efektive.
Koordinatorja e mekanizmit, Habibe Bytyçi, hapi takimin, duke paraqitur rendin e ditës, i cili përfshinte analizën e rasteve të dhunës në familje dhe diskutime të tjera të rëndësishme. Nënkryetarja e Komunës, Mihrije Suka, theksoi shqetësimin e rritjes së rasteve të dhunës, duke vënë theksin në nevojën për një angazhim më të madh nga niveli qendror, pasi kompetencat më të mëdha janë në duart e tyre. “Rastet e dhunës janë shqetësuese, sidomos këto kohët e fundit, mirëpo ne në nivelin lokal edhe për kundër angazhimit maksimal që po bëjmë, nuk mundemi me zgjidh këtë problem, pasi kompetencat më të mëdha i ka niveli qendror dhe atyre u mbetet që të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Unë urojë që të kemi sa më pak raste të dhunës,” tha Suka.
Komandanti i stacionit policor në Suharekë, Afrim Sylaj, kapiten, prezantoi të dhënat mbi numrin e rasteve të dhunës, duke krahasuar periudhën e njëjtë me vitin e kaluar. Ai theksoi rritjen e rasteve, veçanërisht ato recidiviste, duke treguar një model shqetësues të përsëritjes së dhunës.
Qendra për Punë Sociale (QPS) gjithashtu paraqiti rastet e tyre, duke theksuar bashkëpunimin e mirë me policinë dhe institucionet e tjera përkatëse. Prokurorja nga Prizreni, Mejreme Hoxha, vlerësoi raportet e mira me zyrtarët policorë, por kërkoi raporte më të detajuara për të ndihmuar në trajtimin e rasteve në mënyrë më efektive.
Gjatë takimit, u diskutuan tema të ndryshme, duke përfshirë strategjitë për zvogëlimin e rasteve të dhunës dhe rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve. Anëtarët e mekanizmit theksuan nevojën për një qasje të integruar, duke përfshirë institucionet, organizatat joqeveritare dhe komunitetin, për të luftuar këtë fenomen shqetësues.