Kryetari Muharremaj prezanton kandidaturën e Prof. Aziz Bytyqit për Asamblen Komunale

14.08.2025

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka prezantuar publikisht kandidaturën e Prof. MA.SC. Master i shkencave juridike, Aziz Bytyqi nga fshati Nishor, për Asamblen Komunale të Suharekës.

Sipas prezantimit, Prof. Bytyqi gëzon kredibilitet të lartë profesional, moral dhe kombëtar, dhe është vlerësuar si figurë frymëzuese për nxënësit, studentët dhe rininë në përgjithësi. Ai konsideron shërbimin ndaj qytetarëve dhe atdheut si detyrim kombëtar dhe fat jetësor, duke mbajtur gjithmonë respekt të veçantë për ata që kanë rënë për lirinë e vendit.

Me përgatitje të avancuar në fushën e drejtësisë, kontributi kryesor i Prof. Bytyqit është përqendruar në arsim. Ai është profesor prej 13 vitesh në IAAP “Abdyl Ramaj”, ligjërues i licencuar në organizatën e Kryqit të Kuq dhe trajner i ligjit për armë në kompaninë “Lenti”.

Në fushën humanitare, Bytyqi ka 18 vite si vullnetar i Kryqit të Kuq. Gjatë pandemisë Covid-19, ai vizitoi mbi 500 familje në të gjitha vendbanimet e komunës në kuadër të aktiviteteve humanitare.

Prof. Aziz Bytyqi ka qenë tre mandate radhazi anëtar i këshillit drejtues të AAK-së në Suharekë dhe aktualisht është pjesë e këshillit qendror të partisë në nivel vendi. Për dy mandate ai ka udhëhequr grupin e asambleistëve si Shef i grupit në Asamblenë Komunale.

Sipas prezantimit të kryetarit Muharremaj, Bytyqi njihet për thjeshtësinë dhe gatishmërinë për të dëgjuar çdo shqetësim të qytetarëve, pa dallim. Ai vlerësohet për aftësinë e artikulimit dhe argumentimit të qartë të kërkesave të qytetarëve dhe për përfaqësimin e një niveli të lartë politikbërjeje, larg përçarjeve dhe polarizimit shoqëror.

Prof. Aziz Bytyqi, i lindur dhe rritur në Suharekë, përshkruhet si figurë me trashëgimi të pastër kombëtare dhe me përkushtim për shërbimin ndaj qytetarëve dhe vendit, ndërsa tani kërkon mbështetje për të vazhduar angazhimin e tij në Asamblenë Komunale.