KRU “Hidroregjioni Jugor” shkyç 10 konsumatorë në Suharekë për borxhe
Sotgjatë ditës së mërkurë, Inspektoriati i KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A – Prizren, në bashkëpunim me të gjitha njësitë operuese, ka vijuar aksionin për shkyçjen nga rrjeti të konsumatorëve që nuk kanë paguar faturat e ujit, pavarësisht thirrjeve dhe afateve të përsëritura për pagesë.
Foto: Ilustrim
Vetëm gjatë ditës së sotme janë kryer gjithsej 25 shkyçje, të ndara sipas njësive:
- Prizren – 15 shkyçje
- Suharekë – 10 shkyçje
Veçanërisht në Suharekë, ky aksion ka prekur disa zona të ndryshme të qytetit dhe fshatrave përreth, duke bërë që qytetarët me borxhe të papaguara të përballen me ndërprerjen e shërbimit të ujit.
KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A – Prizren ka theksuar se nuk do të ketë më asnjë formë tolerance apo faljeje për konsumatorët që nuk i respektojnë obligimet financiare ndaj kompanisë.
Kompania apelon sërish tek të gjithë konsumatorët që të rregullojnë detyrimet e tyre, për të shmangur ndërprerjen e shërbimit dhe për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë.