Këto janë 5 qendrat ku maturantët nga Suhareka do të mbajnë provimin e maturës

21.06.2023

Javën e kaluar është mbajtur mbedhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB). Në takimin e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, i cili u mbajt të enjten e kaluar ka raportuar edhe Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, raporton SuharekaOnline. Bajselmani bëri të ditur se nga të dhënat e shkollave […]

Këto janë 5 qendrat ku maturantët nga Suhareka do të mbajnë provimin e maturës Foto: Ilustrim

Javën e kaluar është mbajtur mbedhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).

Në takimin e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, i cili u mbajt të enjten e kaluar ka raportuar edhe Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, raporton SuharekaOnline.

Bajselmani bëri të ditur se nga të dhënat e shkollave janë 534 maturantë të rregullt, prej tyre 247 janë në Gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë, 182 në IAAP “Skender Luarasi”në Suharekë dhe 105 nxënës IAAP “Avdyl Ramaj” në Shirokë.

Ai tregoi se të gjitha shkollat e mesme të Komunës së Suharekës kanë kryer ekskurzionet pa ndonjë incident, madje theksoi se kjo gjenerat ka qenë njëra ndër më të disiplinuar ndër 10 vitet e fundit. 

Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani ndër tjerash tha se maturantët e Komunës së Suharekës do t’i nënshtrohen edhe testit të maturës me datë 24 qershor.

“Matura shtetërore 2023 do të mbahet me datë 24 qershor 2023, duke filluar nga ora 10:00. Testi është planifikuar të mbahet në 4 objekte shkollore përkatësisht në 5 qendra të testimit, (Qendra 1- Gjimnazi “Jeta e Re”, qendra 2 SHFMU “7Marsi”, qendra 3 dhe 4 IAAP “Skender Luarasi” dhe qendra 5 “Avdyl Ramaj”” tha Bajselmani.

Ndër tjerash ai njoftoi se janë angazhuar 70 administrues nga Komuna e Suharekës të cilët janë të angazhuar të administrojnë në Komunën e Prizrenit, ndërsa ata nga Komuna e Prizrenit do të administrojnë në Suharekë.

Lidhur me provimin e maturës ka njoftuar edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ku përmes një shkrimi ka bërë të ditur se në koordinim me Drejtoritë e Arsimit nëpër komunat e vendit është bërë përgatitja për mbajtjen e këtij provimi.

“Provimi i maturës mbahet të shtunën, më 24 qershor

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë maturantët se të shtunën (më 24 qershor) do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore.

Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI.” thuhet në njoftim.

MASHTI ka njoftuar se provimi i maturës do të mbahet gjithsej në 178 qendra.

“Testi do të organizohet në 178 qendra të testimit. Këtë vit, në sallën e testimit (klasat) përveç administruesve do të jetë edhe një mbikëqyrës (student absolvent ose të nivelit master).

Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit.” thuhet tutje në njoftim.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 3 korrik.