Java e fundit e muajit shkurt – Çfarë ndodhi në Suharekë?

01.03.2021

Si shumë javë të tjera edhe java e fundit e muajit të dytë të këtij viti ka qenë e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet, duke i përfshirë pothuajse të gjitha fushat, si politikën, shëndetësin dhe ngjarjet e raportuara nga Policia e Kosovës. Java që e lam pas ka qenë e qetë në Komunën […]

Java e fundit e muajit shkurt – Çfarë ndodhi në Suharekë? Foto: Herolind Bytyçi / HALLKA

Si shumë javë të tjera edhe java e fundit e muajit të dytë të këtij viti ka qenë e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet, duke i përfshirë pothuajse të gjitha fushat, si politikën, shëndetësin dhe ngjarjet e raportuara nga Policia e Kosovës.

Java që e lam pas ka qenë e qetë në Komunën e Suharekës sa i përketë politikës, shëndetësisë dhe arsimit.

Gjatë javës së kaluar Asambleisti Bashkim Ndrecaj përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka kërkuar nga ky i fundit që në kuadër të përgjegjësive ligjore të kërkoj nga KEDS investime në rrjetin e tensionit 10kVA.

“Duke ju përmbajtur detyrave të mia, në cilësinë e të zgjedhurit nga qytetarët e Komunës sonë, duke parë gjendjën në teren, sot kërkova nga Kryetari i Komunës që te kërkoj nga ana e KEDS-it që të bëjë investime në rrjetin e Tensionit 10 kVA, ose që të ndajmë mjete financiare për rregullimin e ketyre rrjeteve elektrike për fshatrat malore të Komunës sonë si në fshatrat Maçitevë, Dolloc, Greiçevc, Vreshec, Mohlan, Budakovë, si dhe në disa fshatra tjera me qëllim të rritjes se cilësisë së furnizimit me energji elktrike” ka shkruar Ndrecaj.

Në javën e fundit të muajit shkurt, Drejtoria e Arsimit në Suharekë ka hapur konkurs për 210 bursa, 130 për studentë dhe 80 për nxënës, vlera e bursës për studentë do të jetë 500€ (50€/10 muaj) ndërsa për nxënës 250€ (25€/10 muaj). Vlera totale e bursave do të jetë 85,000 euro.

Gjithashtu, në po këtë javë, Drejtori i DKA-Suharekë, Remzi Bajselmani për SuharekaOnline ka thënë se gjatë kësaj jave në shkollat e Komunës së Suharekës gjendja me COVID-19 ka qenë e qetë dhe në bazë të informacioneve që ai kishte pasur nga terreni, ka bërë të ditur se deri të mërkurën (25 shkurt 2021) ka qenë vetëm një mësimdhënës i infektuar me COVID-19, gjendja e të cilit kishte qenë e mirë.

Poashtu, gjatë javës së fundit të muajit të dytë të këtij viti, i pari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka obliguar të gjitha bizneset në Komunën e Suharekës që hapsirën para lokalit apo objektit të tyre ta mirëmbajnë.

Muharremaj përmes një postimi në facebook ka thënë se të gjitha bizneset e Komunës së Suharekës obligohen që ta mirëmbajnë hapësirën para lokalit apo objektit të tyre duke e pastruar çdo ditë me qëllim që ta mirëmbajnë ambientin. Muharremaj tutje ka thënë se të gjithë ata që nuk e respektojnë këtë urdhëresë do të ndëshkohen me gjobë mandatore nga inspektorët.

Ngjarjet e raportuara nga qytetarët e Komunës së Suharekës në Policinë e Kosovës në Suharekë kanë qenë të shumta e disa prej tyre edhe të raportuara më parë.

Këtë javë Komunën e Suharekës e kanë karakterizuar rastet e kërcënimeve nga persona të dyshuar, me të cilët edhe janë marrë policia.

Gjatë ditës së mërkurë rreth orës 19:35 është arrestuar një person, i cili dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka dëbuar nga shtëpia bashkëshorten dhe të birin e tij. Tutje ishte bërë e ditur se me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjithashtu, gjatë ditës së mërkurë në Policinë e Kosovës është raportuar për një vajzë të mitur e cila është larguar nga shtëpia e saj. Në bazë të informacioneve që kishte SuharekaOnline bëhej e ditur se një vajzë e mitur (15 vjeçare) është larguar nga shtëpia e saj dhe nga informacionet që kanë familjarët e saj dyshohet se ajo ka shkuar të bashkëjetoj me një mashkull (18 vjeçar).

Tutje ishte bërë e ditur se bashkëjetesën e tyre e kishte konfirmuar edhe babai i djalit me të cilin është larguar e mitura.

Lidhur me këtë rast, SuharekaOnline kishte kontaktuar zëdhënësin e Policisë së Kosovës, togerin Shaban Osmanollaj i cili kishte treguar se pas dy ditës dy të rinjët janë lajmëruar në stacionin e policisë ku kanë treguar se të dytë së bashku kishin qëndruar në qytetin e Suharekës, ndërsa nga aty edhe janë rikthyer në familjet e tyre me vetëdëshirë.

Të enjtën rreth orës 15:00 është arrestuar një qytetar nga Suhareka. Gjatë ditës së enjte në Suharekë, saktësisht në rrugën Avdyl Rama, një person i dyshuar ka kanosur një person tjetër. Ishte bërë e ditur se pas raportimit të këtij rasti në polici, me vendim të prokurorit, i dyshuari për kanosje është dërguar në mbajtje.

Të premtën rreth orës 15:30, ku një femër ka njoftuar se është kanosur nga një mashkull i dyshuar, i cili e ka kërcënuar duke i thënë se nëse nuk del me të ai do t’ia postojë disa fotografi të saja.

Rastin e ka konfirmuar për SuharekaOnline zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj i cili ka bërë të ditur se i dyshuari tash e një kohë ishte duke e shtërnguar dhe kanosur viktimën, duke i thënë se nëse nuk del me të do të publikoj fotografi të saj nëpër rrjetet sociale.

Osmanollaj gjithashtu ka thënë se të dyshuarit iu është sekuestruar një telefon si dëshmi, pasi që në të ka materiale rreth këtij rasti. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj ka treguar se i dyshuari me vendim të prokurorit kujdestar të shtetit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe se rasti në fjalë është duke u hetuar.

Gjithashtu, të premtën në Suharekë, saktësisht në sheshin ”Fadil Vata” një i dyshuar ka kërcënuar një tjetër, pas një mosmarrveshje të më herëshme që kishin pasur dy personat në fjalë.

Gjithashtu, gjatë kësaj jave SuharekaOnline ka raportuar për një person të zhdukur në Suharekë, bëhet fjalë për një femër e cila është larguar nga shtëpia e saj duke mos i treguar askujt dhe nuk është kthyer më.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj për SuharekaOnline kishte thënë se ky rast është njoftuar edhe Prokurorja Kujdestare e Krimeve të Rënda, e cila ka kërkuar që rasti të hapet si ”person i zhdukur”.

Tutje Osmanollaj ka treguar se për shkak të disa mesazheve të dyshimta që i ka prezentuar familja e femrës e cila tashmë konsiderohet person i zhdukur, është njoftuar edhe Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor-Suharekë dhe Njësia e Hetimeve Rajonale-Prizren, të cilët janë duke u marr me rastin në fjalë.