Gjykimi ndaj ish-komandantit “Molla e Kuqe”, propozohet të dëgjohen 6 dëshmitarë

04.09.2020

Mbrojtësi i ri i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, Remzi Shala, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Afrim Paqarizi, ka kërkuar që seanca e së premtes, në rastin ku klienti i tij po akuzohet për krime lufte, të shtyhet për një datë tjetër. Remzi Shala po […]

Gjykimi ndaj ish-komandantit “Molla e Kuqe”, propozohet të dëgjohen 6 dëshmitarë Foto: Ilustrim

Mbrojtësi i ri i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, Remzi Shala, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Afrim Paqarizi, ka kërkuar që seanca e së premtes, në rastin ku klienti i tij po akuzohet për krime lufte, të shtyhet për një datë tjetër.

Remzi Shala po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, avokati Paqarizi bëri të ditur se një ditë më parë është pajisur me shkresat e lëndës, e cila sipas tij është voluminoze.

Për këtë arsye, i njëjti kërkoi nga trupi gjykues që gjatë seancës vetëm të bëhet konstatimi i pranimit të shkresave të lëndës nga mbrojtja dhe të mos procedohet më tej, por e njëjta të shtyhet dhe të caktohet për një datë tjetër, mundësisht pas datës 1 tetor.

Propozimin e tij nuk e kundërshtuan dhe e cilësuan si të arsyeshëm edhe prokurori special Haki Geci dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha.

Po ashtu, përfaqësuesi i palës së dëmtuar kërkoi që në seancën e radhës të dëgjohet i dëmtuari Agron Përteshi, propozim të cilin nuk e kundërshtoi as i akuzuari.

Pas kësaj, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Raima Elezi mori vendim me të cilin e  aprovoi kërkesën e palës së dëmtuar, për dëgjimin e dëshmitarit Përteshi.

Po ashtu trupi gjykues, sipas detyrës zyrtare, do të ftojë që edhe njëherë të dëgjohen dëshmitarët Avdi Trolli, Sejdi Përteshi, Xhemajl Elashani, Ferat Shala dhe Xhafer Shukolli.

Me këtë gjë u pajtua edhe i akuzuari Shala, pasi tha se ka nevojë që këtyre dëshmitarëve tu parashtroj pyetje, duke propozuar që të dëgjohet edhe dëshmitari Emrush Gashi.

Ndërsa prokuroi Gecaj kërkoi që si dëshmitar të ftohet edhe njëherë Fadil Qatani.

Kujtojmë se rasti i Remzi Shala i njohur si “Molla e Kuqe” në prill të këtij viti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme.

Për redaksinë e SuharekaOnline nga zyra e ish-avokatit të Shalës, Natal Bullakaj, kishin thënë se në shkurt të këtij viti kishin bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë e cila është aprovuar nga gjykata dhe me këtë rast është shfuqizuar vendimi për dënimin e mëhershëm si të shkallës së parë, ashtu edhe të shkallës së dytë dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Ndër tjera nga zyra e avokatit Bullakaj bëjnë të ditur se në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë prej mbi 20 faqe ata kanë argumentuar shkeljet që janë bërë në rastin e Remzi Shalës.