Gjykimi për krime lufte ndaj Remzi Shalës, pala e dëmtuar propozon dëgjimin e dy dëshmitarëve

20.12.2022

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Remzi Shala, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Asdren Hoxha ka propozuar që të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve Nuhi dhe Ganimete Zurapi. Shala, i njohuri si komandant “Molla e Kuqe” po akuzohet se së bashku me disa pjesëtarë tjerë […]

Gjykimi për krime lufte ndaj Remzi Shalës, pala e dëmtuar propozon dëgjimin e dy dëshmitarëve Foto: Ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Remzi Shala, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Asdren Hoxha ka propozuar që të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve Nuhi dhe Ganimete Zurapi.

Shala, i njohuri si komandant “Molla e Kuqe” po akuzohet se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë Haxhi Përteshin nga shtëpia e tij dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Propozimin e tillë, e ka mbështetur prokurori Haki Gecaj dhe të njëjtin e ka aprovuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi.

Mirëpo, këtë propozim e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokat Blerim Mazreku ku ka thënë se ky propozim është i vonuar, i pa arsyeshëm dhe se është prolongim i çështjes.

Paraprakisht, në këtë seancë është bërë ballafaqimi i dëshmitarëve Sejdi Përteshi dhe Xhemajli Elshani me të akuzuarin Shala.

Dëshmitari Elshani ka thënë se deklarimet e të akuzuarit Shala janë të pavërteta dhe se komandant Guri kishte kërkuar nga i akuzuari largimin nga fshati Grajqevc.

Ai ka thënë se nga një bunker në Grajqevc e kishin larguar i akuzuari Shala dhe Ferat Shala, me sy dhe duar të lidhura e kishin dërguar në fshatin Luzhnicë, dhe ka thënë se asnjëherë nuk e ka takuar të ndjerin Haxhi Përteshin.

Ndërsa, dëshmitari Përteshi ka thënë se sipas fjalëve të familjarëve  vëllaun e tij e kanë marrë gjashtë persona dhe trupin e tij e kanë kthyer pas katër ditësh.

Tutje, dëshmitari Përteshi ka treguar se atë dhe Shaban Shukollin i kishin marrë nga fshati Reshtan dhe se me të njëjtin ka qëndruar dy ditë në depo të tepihëve, e që Shukollin e kishin liruar në ora 12, ndërsa dëshmitarin Përteshin në mbrëmje ku e kishin shoqëruar dy ushtarë për ta dërguar në shtëpi.

Lidhur me deklarimet e dëshmitarëve, i akuzuari Shala ka thënë se të njëjtit nuk po flasin ngase janë të frikësuar që të dëshmojnë.

Në përgjigjet e pyjeve të dëmtuarit Zenel Përteshi, dëshmitari Përteshi ka thënë se babain e Bajram Qatanit e kanë vrarë në vitin 1999 dhe se me familjen e të njëjtit nuk kanë pasur raportet të këqija.

Kurse, në përgjigjet e pyetjeve të avokatit Mazreku, dëshmitari ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se i kanë marrë vëllaun e tij.

Lidhur me deklaratën e dëshmitarit Përteshi, vërejtje ka bërë i akuzuari Shala dhe avokati Mazreku ku kanë thënë se deklaratat e dëshmitarit janë kundërthënëse se i njëjti ka arsye për fshehjen e të vërtetës dhe se ka arsye të veçantë që të mos e tregoj.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 20 janar 2023 dhe 13 shkurt 2023.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.