“E hoqëm qafe edhe një”, dëshmitarja rrëfen si e dëgjoi Remzi Shalën duke treguar se e kishte marrë xhaxhain e saj

  • 21.01.2023
“E hoqëm qafe edhe një”, dëshmitarja rrëfen si e dëgjoi Remzi Shalën duke treguar se e kishte marrë xhaxhain e saj

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Remzi Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, janë dëgjuar dëshmitarët Ganimete dhe Nuhi Zyrahi, të cilët kanë treguar se si e kishin kuptuar që tani i ndjeri Haxhi Përteshi, ishte marrë nga i akuzuari Shala.

Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe” po akuzohet se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë Haxhi Përteshin nga shtëpia e tij dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.

Dëshmitarja Ganimete Zyrahi ka treguar se për rastin ka kuptuar nga fundit i qershorit apo fillimi i korrikut.


Ajo ka thënë ishte e martuar në fshatin Studençan, e që për ushtarët kishte qenë duke shërbyer kur kishte kuptuar nga vetë Shala se kishte marrë xhaxhanë e saj, Haxhi Përteshi.

“Aty kanë ardhë Ushtria Çlirimtare te na, sepse u  kanë në mes të katundit dhe kunata ime ka qepë emblema të UÇK-së për kapela dhe bluza. Unë kam qenë tu qit çaj si nuse, kanë ardhë te na ushtria me pi çaj, kanë hangër edhe bukë, dhe në një moment personi me emër Remzi Shala “Molla e Kuqe” ka thënë se kanë qenë katër ushtarë iu ka thënë atyre “edhe sot e hjekëm qafe edhe njo” edhe aty njëri prej ushtarëve u kanë prej tyre që i ka thënë “kënd e keni hjekë “ dhe ai Remzi Shala u përgjegj Haxhi Përteshin”, ka thënë Zyrahi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, ajo ka thënë se burri i saj Nuhiu kur ka hyrë në dhomë, ushtria kanë qenë në korridor dhe se të njëjtit i kishte thënë se “qeky q… e paska marrë apo e ka mbytë babën Haxhë”, dhe se është drejtuar me gisht në drejtim të të akuzuarit Shala.

Zyrahi ka thënë se Shala ishte i veshur me të zeza si polic ushtarak, duke përshkruar pamjen e tij se ka qenë  zeshkan, i dobët, pa kapelë dhe i armatosur.

Dëshmitarja Zyrahi, ka thënë se nuk ishte në dijeni për identitetin e ushtarëve të tjerë që kishin qenë së bashku me të akuzuarin Shala në shtëpinë e burrit të saj.

Ajo ka thënë se me babanë e saj Sejdi Përteshi vazhdimisht e ka diskutuar këtë ngjarje.

Më pas, avokati Blerim Mazreku, ka paraqitur vërejtje sa i përket besueshmërisë së deklaratës së dëshmitares Zyrahi, për arsyet se sipas tij se njëjta deklaroi se disa fakte ia ka treguar babait të saj dhe se babai i saj ka deklaruar disa herë në këtë gjykatë dhe për herë të fundit ishte më 19 dhjetor 2022.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Nuhi Zyrahi, i cili ka thënë se ngjarja kishte ndodhur në korridorin e shtëpisë së tij kur kishte kuptuar se i ndjeri Përteshi ishte marrë nga i akuzuari Shala.

“Kam hyrë në derë të dhomës ku ka qenë Ganimetja në gjendje të keqe emocionale edhe e kam pyet i kam vendos duart në derë, i kam thënë çka ki Ganimete e mu ka përgjigj “Ky koka që e paska marrë babën Haxhë”, gruaja kur e ka përmend “qeky q** e paska marrë babën Haxhë”, dhe unë jam kthyer dhe jam drejtuar afër Remziut, jam ul dhe vetëm e kam shiqu dhe fjalët e para të tij kanë qenë edhe më ka thënë “mas një zogu mem pas qu fjalë se është miku i juaj, nuk kish me ardhë deri këtu”, pastaj unë i kam thënë “Remzi unë kam m’i tregu familjes së Haxhisë që e ke marrë ti” pastaj mu ka drejtu prapë dhe më ka thënë “nëse mbes gjallë deri në fund të luftës nëse bohet ndonjë gjykatë për këtë, unë kam me dëshmu si ka qenë rasti”, ka thënë dëshmitari Zyrahi.

I njëjti ka deklaruar se ushtarët e tjerë që kishin qenë me Shalën nuk i kishte njohur, përveç ushtarit me emrin Sami Kuçi.

Dëshmitari Zyrahi, ka thënë se Shala atë ditë ishte i veshur me të zeza dhe i armatosur dhe se të njëjtin e njeh prej kur kishte qenë 12-13 vjet, e që të njëjtin e ka takuar tek motra e tij që janë dajët e Shalës.

Tutje, ai ka thënë se Shala ka shërbyer në pikën e Dobërdelanit dhe se pika e Studençanit është vendosur në rrethin e Grajçevcit dhe se Shalën e kanë transferuar në pikat e tjera të Grajçevcit apo në Kleqkë.

Në fund, Zyrahi ka thënë se për ngjarjen i ka treguar Zenel Përteshit në tetor të vitit 1998.

Më pas, seanca e sotme është ndërprerë, kurse seanca e radhës në këtë rast të mbahet më 13 shkurt 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël./BetimipërDrejtësi/

N'minuta
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë