Gjykata Speciale pranon edhe 12 “viktima”, përmenden raste në Budakovë dhe Semetisht

26.05.2022

Gjykata Speciale i ka pranuar aplikimet edhe të 12 personave, të cilët do të paraqiten si viktima në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi Këta persona pretendojnë se ishin viktima të Thaçit dhe të tjerëve në krimet e pretenduara nga Prokuroria, që së fundi […]

Gjykata Speciale pranon edhe 12 “viktima”, përmenden raste në Budakovë dhe Semetisht Foto: Ilustrim

Gjykata Speciale i ka pranuar aplikimet edhe të 12 personave, të cilët do të paraqiten si viktima në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi

Këta persona pretendojnë se ishin viktima të Thaçit dhe të tjerëve në krimet e pretenduara nga Prokuroria, që së fundi Zyra e Prokurorit të Specializuar i përfshiu në aktakuzën e re, të ndryshuar, të dorëzuar në gjykatë në fund të prillit.

Këta persona të paraqitur si viktima është rekomanduar që të identiteti i tyre të mos zbulohet për publikun, të akuzuarit dhe avokatët.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se ka prova ‘prima facie’ se viktimat 21/06, 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 54/06, 55/ 06, 56/06, 57/06, 58/06 dhe 59/06, kanë pësuar dëme si rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve të pretenduara në aktakuzën e ndryshuar dhe i pranon ato si viktima pjesëmarrëse në procedurë.

Në këtë vendim thuhet se të gjithë aplikantët janë viktima të krimeve që pretendohet se janë kryer në lokacionet e identifikuara në aktakuzën e ndryshuar dhe krimet e supozuara bien brenda fushëveprimit kohor të akuzave siç specifikohet në aktakuzën e ndryshuar në lidhje me secilën prej vendndodhjeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më konkretisht: (a) Viktima 21/06 është viktimë e drejtpërdrejtë e persekutimit, burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor dhe torturës, që pretendohet se janë kryer në [REDAKTUAR]. Duke vënë në dukje se viktima 21/06 pretendon gjithashtu se është viktimë e krimeve të kryera të dyshuara në vitin 2004, gjyqtari i procedurës paraprake kujton se krime të tilla nuk bien në sferën kohore të akuzave ose në juridiksionin e përkohshëm të Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se viktimat 44/06, 45/06, 46/06 dhe 47/06 janë viktima indirekte të persekutimit dhe burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, të dyshuara të kryera në [REDAKTUAR] kundër një anëtari të ngushtë të familjes.

“Gjyqtari i procedurës paraprake vëren se edhe viktimat 44/06, 45/06, 46/06 dhe 47/06 pohojnë se nuk dihet fati i familjarit të tyre. Në lidhje me këtë, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se anëtari i familjes nuk është në mesin e viktimave të vrasjes ose zhdukjes me forcë të përmendur në aktakuzën e ndryshuar dhe për rrjedhojë, vrasja dhe/ose zhdukja e pretenduar e anëtarit të familjes bie jashtë fushëveprimit të akuzës”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, viktima 53/06 është viktimë indirekte e burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm apo arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor dhe vrasjes, që pretendohet të jenë kryer në [REDAKTUAR] ndaj një anëtari të familjes së ngushtë, i cili përmendet si viktimë në aktakuzën e ndryshuar.

“Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se anëtari i familjes nuk është në mesin e viktimave të zhdukjes me forcë të përmendur në aktakuzën e ndryshuar dhe për rrjedhojë, ky krim i supozuar bie jashtë fushëveprimit të akuzave”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, thuhet se viktima 54/06 është viktimë e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë e burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, që dyshohet se është kryer në [REDAKTUAR] kundër tij dhe një anëtari të ngushtë të familjes, i cili përmendet si viktimë, në aktakuzën e ndryshuar.

“Viktimat 55/06, 56/06 dhe 57/06 janë viktima indirekte të burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor, torturës, vrasjes, dhe në rastin e viktimës 56/06, gjithashtu zhdukjes me forcë, dyshohet se është kryer në [REDAKTUAR] dhe në [REDAKTUAR], kundër anëtarëve të ngushtë të familjes që përmenden në aktakuzën e ndryshuar”, thuhet në këtë vendim.

Vendimi thotë se viktimat 58/06 dhe 59/06 janë viktima indirekte të përndjekjes, burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor dhe torturës, të dyshuara të kryera në [REDAKTUAR] ndaj një anëtari të ngushtë/të afërt të familjes.

“Në masën që viktima 58/06 pretendon gjithashtu se është viktimë e drejtpërdrejtë e keqtrajtimit dhe viktima 59/06 viktimë indirekte e keqtrajtimit të pretenduar të viktimës 58/06, gjyqtari i procedurës paraprake kujton se akuzat për akte të tjera çnjerëzore dhe trajtim mizor duhet të lexohen së bashku me akuzat për burgim/arrest arbitrar dhe paraburgim që pretendohet se janë kryer në një nga vendet e paraburgimit të identifikuara ose në një vendndodhje të identifikuar në mënyrë të ngjashme në aktakuzën e ndryshuar dhe në listën A. Gjyqtari i procedurës paraprake vëren se, ndryshe nga anëtari i ngushtë i familjes së tij, viktima 58/06 asnjëherë nuk është arrestuar apo dërguar në vendin e identifikuar në aktakuzën e ndryshuar. Ai u keqtrajtua gjoja [REDAKTUAR] dhe, si i tillë, keqtrajtimi i tij bie jashtë fushëveprimit gjeografik të akuzave siç specifikohet në aktakuzën e ndryshuar”, thuhet tutje në vendim.

Sipas vendimit, viktima 21/06 ka pësuar dëmtime fizike (plagë), dëmtim mendor (humbje të kujtesës, sulme paniku dhe ankth gjumi) dhe dëm material, si rezultat i drejtpërdrejtë i ndalimit dhe keqtrajtimit të pretenduar të tij.

Ndërkaq, thuhet se viktimat 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 55/06, 56/06, 57/06 dhe 58/06 kanë pësuar dëmtim mendor (trauma psikologjike, humbje, dhimbje emocionale, depresion, frikë, ankth, stres dhe pagjumësi) si anëtarë të familjes së drejtpërdrejtë të viktimave të drejtpërdrejta.

“Viktima 54/06 ka pësuar dëmtime fizike (plagë të rënda, brinjë të thyera, dhimbje fizike dhe dhimbje koke), si dhe dëmtime mendore (trauma, stres, rikthim, frikë dhe probleme me gjumin), si rezultat i drejtpërdrejtë i ndalimit dhe keqtrajtimit të tij të pretenduar dhe si anëtar i familjes së një viktime të drejtpërdrejtë. Viktima 59/06 ka pësuar dëmtim mendor (traumë psikologjike) për shkak të marrëdhënies së ngushtë familjare me viktimën e drejtpërdrejtë. Në këtë drejtim, gjyqtari i procedurës paraprake sqaron se ndërkohë që një marrëdhënie e ngushtë me viktimën e drejtpërdrejtë mund të mos jetë supozohet (pasi viktima 59/06 nuk është anëtar i afërt i familjes), një marrëdhënie e tillë mund të konkludohet nga fakti se [REDAKTUAR] [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë vendim.

Në fund thuhet se gjykata ka miratuar aplikimet e viktimave 21/06, 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 54/06, 55/06, 56/06, 57/06, 58/06 dhe 59 /06 dhe ka urdhëruar që masa mbrojtëse e anonimitetit sipas rregullit 80 (4) (e) (i) të Rregullores t’iu jepet viktimave 21/06, 44/06, 45/06, 46/06, 47/06, 53/06, 54/06, 55/06, 56/06, 57/06, 58/06 dhe 59/06.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.