Dukuria shqetësuese e substancave narkotike prezente edhe në Suharekë

06.11.2021

OBSH-ja, cilëson si drogë çfarëdo substancë që duke u futur në një organizëm të gjallë modifikon një ose më shumë funksione të tij. Ndërsa me drogë abuzive kuptojmë çfarëdo substancë, e marrë në cilëndo formë të mundshme turbullon humorin, nivelin e perceptimit dhe funksionin cerebral. Sipas këtij përkufizimi merren parasysh drogat e ligjshme, si duhani […]

Dukuria shqetësuese e substancave narkotike prezente edhe në Suharekë Foto: Ilustrim

OBSH-ja, cilëson si drogë çfarëdo substancë që duke u futur në një organizëm të gjallë modifikon një ose më shumë funksione të tij. Ndërsa me drogë abuzive kuptojmë çfarëdo substancë, e marrë në cilëndo formë të mundshme turbullon humorin, nivelin e perceptimit dhe funksionin cerebral. Sipas këtij përkufizimi merren parasysh drogat e ligjshme, si duhani apo alkooli, si dhe ato të paligjshmet: hashishi, heroina, kokaina, drogat sintetike, etj.

Pavarësisht nga drogat e përdorura të gjitha janë të dëmshme dhe kanë efekte tek përdoruesit e më tej. Përdorimi i drogës ndikon tek shëndeti, puna, jeta personale, në familje dhe në rrethin shoqëror.

Kjo dukuri shqetësuese e posedimit të substancave narkotike, fatkeqësisht është prezente edhe në Komunën e Suharekës.

Raste të posedimit të substancave narkotike raportohet edhe në Komunën e Suharekës, ku sipas të dhënave që ka siguruar SuharekaOnline vetëm gjatë dhjetë mujave të këtij vitit janë raportuar nëntë raste të tilla.

Në bazë të këtyre të dhënave rastet e posedimit të narkotikëve janë raportuar në muajt, shkurt, mars, maj, gusht, shtator dhe tetor.

Rasti i fundit ishte ai i para disa javësh, ku Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin dhe Luftimin e Narkotikëve – Njësia në Prizren dhe Njësia e Ferizajt, gjatë punës operative dhe marrjes se informatave nga burime relevante kanë bastisur një shtëpi në Sallagrazhdë.

Me datë 23.10.2021 me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit dhe aprovimin e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, ka realizuar një bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit me iniciale (K.B.) në fshatin  Sallagrazhdë, Komuna e Suharekës me dyshimin se në shtëpinë e tij gjendet një sasi e substancave narkotike të llojit Marihuan.

Asistim në këtë operacion kanë ofruar edhe Njësitet për reagim të shpejtë (NJRSh) patrullat policore të stacionit Policor në Suharekë, si dhe forenzika rajonale.

Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë/provat si në vijim:
1. Njё (1) thes najlloni i zi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, pas matjes rezulton me peshë pesë (5) kg;
2 – Njё (1) thes najlloni i zi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, pas matjes rezulton me peshë pese (5) kg;
3 – Njё (1) thes najlloni i zi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, pas matjes rezulton me peshë katërqind (400) gram;
4 – Një (1) peshore elektrike ngjyrë e bardhë
5 – Tri (3) rolle plastike që shërbejnë për paketim të substancës narkotike;
6 – Një (1) aparat elektronik për shërbim të vakumimit të qeseve plastike –paketim të marihuanës.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e kundërligjshme që qytetarët të blejnë, të posedojnë apo të shpërndajnë substanca narkotike.

Policia e Kosovës thotë se në vitin 2020, në tërë vendin janë iniciuar gjithsej 1,005 raste dhe janë arrestuar 1,144 persona dhe janë përcjellë 714 kallëzime penale ndaj 938 të dyshuarve për trafikim, posedim dhe kultivim të drogave. Në këtë vit janë konfiskuar mbi 9 kg heroinë dhe mbi 2 kg kokainë.

Kurse në katër muajt e parë të vitit 2021, sipas statistikave të policisë, në tërë Kosovën për substanca narkotike janë iniciuar 295 raste me 361 të dyshuar, kurse janë arrestuar 292 persona.