Dukuria e rrezikshme e fajdeve, ku qëndron Suhareka

01.11.2021

Si rezultat i kësaj dukurie kemi dy dëme e para shkatërrohen familjet, qytetarët dhe biznese, ndërsa në anën tjetër forcohen grupet kriminale. Raste të fajdes raportohen edhe në stacionin policor në Suharekë, ku ditë më parë në komunën tonë ishte raportuar një rast i tillë ku për 500€ viktima duhej t’i kthente 900€. Në një […]

Dukuria e rrezikshme e fajdeve, ku qëndron Suhareka Foto: Ilustrim

Si rezultat i kësaj dukurie kemi dy dëme e para shkatërrohen familjet, qytetarët dhe biznese, ndërsa në anën tjetër forcohen grupet kriminale.

Raste të fajdes raportohen edhe në stacionin policor në Suharekë, ku ditë më parë në komunën tonë ishte raportuar një rast i tillë ku për 500€ viktima duhej t’i kthente 900€.

Në një prononcim për SuharekaOnline, komandanti i stacionit policor në Suharekë, kapiten Afrim Sylaj, ka bërë të ditur se brenda këtyre dy viteve, në Komunën e Suharekës janë raportuar dy raste të tilla.

Sipas komandantit një rast është raportuar gjatë vitit 2020 dhe rasti i fundit para disa ditësh.

Ndërsa, në vitin 2019 në një rast në Suharekë ishin arrestuar 4 persona dhe u ishin konfiskuar shuma të parave dhe vetura luksoze.

Gjithashtu në po të njëjtin vit ishte arrestuar një 67 vjeçar për veprën penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, ku i njëjti për shumën 24.000 euro i kishte kërkuar 64.000 euro.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat që merren me fajde dënohen me gjobë dhe me burgim nga gjashtë muaj deri në 12 vjet.

Në Kodin Penal të Kosovës, është e përshkruar edhe vepra penale kundër pasurisë, ku Neni 331 saktëson se me sa gjobiten personat që merren me fajde.

Pika e parë e këtij neni thotë se kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, gjendjen e rëndë të banimit, varfërinë, papërvojën ose paaftësinë për të gjykuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Në pikën dy thuhet se nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me humbje financiare në shumë prej më tepër se dhjetëmijë (10.000) euro ose nëse kryesi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon dhjetëmijë (10.000) euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

Ndërkaq në pikën tre thuhet se nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me humbje financiare në shumë prej më tepër se njëzetepesëmijë (25.000) euro ose nëse kryesi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon njëzetepesëmijë (25.000) euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.