“Duart magnetike” të hajnave në Suharekë, për 6 muaj u raportuan 22 raste të vjedhjeve
Rastet e vjedhjeve dhe tentimet për kryerjen e veprimeve të tilla janë raste të cilat pothuajse çdo ditë qytetarët i raportojnë në Policinë e Kosovës. Ky fenomen shkakton pasiguri tek qytetarët e njëkohësisht është edhe sfidë për institucionet e vendit të cilat ballafaqohen me personat e dyshuar të cilët kryejnë veprime të tilla, duke dëmtuar […]
Rastet e vjedhjeve dhe tentimet për kryerjen e veprimeve të tilla janë raste të cilat pothuajse çdo ditë qytetarët i raportojnë në Policinë e Kosovës.
Ky fenomen shkakton pasiguri tek qytetarët e njëkohësisht është edhe sfidë për institucionet e vendit të cilat ballafaqohen me personat e dyshuar të cilët kryejnë veprime të tilla, duke dëmtuar në mënyrë materiale viktimat.
Nga ajo që dëgjojmë dhe shohim në përditshmëri, rezulton se cak i hajnave janë natyrisht gjërat që janë më të vlefshme, si: gjësendet shtëpiake, ari, para, vetura, telefona mobil, e shumë të tjera, shkruan SuharekaOnline. Padyshim që edhe në Komunën e Suharekës këto raste i kemi dëgjuar përgjatë gjashtë muajve të vitit 2023.
Në një prononcim për SuharekaOnline, Komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj ka treguar se gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti në Stacionin Policor në Suharekë janë raportuar gjithsej 22 raste të vjedhjeve nëpër vende të ndryshme.
Poashtu, Sylaj ka njoftuar se në të njëjtën periudhë kohore në Stacionin Policor në Suharekë janë raportuar edhe katër raste të tentimit për vjedhje.
Më poshtë SuharekaOnline ka renditur disa nga rastet e vjedhjeve të cilat janë raportuar përgjatë këtyre gjashtë muajve.
Më 27 janar të 2023, Policia e Kosovës në Suharekë kishte njoftuar se një vjedhje e rëndë ka ndodhur në Suharekë, ku në bazë të raportit bëhej e ditur se një person ka lajmëruar në polici se persona të panjohur për të me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e tij. Sipas deklaratës së ankuesit në polici pretendohet se të dyshuarit kanë vjedhur 6 orë dore, 250 euro para dhe një pistoletë për të cilën posedonte leje përkatëse babai i ankuesit.
Poashtu, edhe në muajin shkurt policia kishte raportuar për një tjetër vjedhje të rëndë e cila u bë në njërin nga marketet që gjenden në rrugën “Brigada 123” në Suharekë. Asaj kohe policia kishte njoftuar se dy persona të dyshuar në bashkëveprim kanë kryer vjedhje në një market në rrugën “Nënë Tereza” në Suharekë dhe pas një hetimi nga ana e policisë dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Me 3 prill të këtij viti Policia e Kosovës kishte njoftuar se në fshatin Mohlan të Suharekës disa persona të panjohur kishin vjedhur një pushkë gjuetie nga makina e ankuesit. Poashtu, Policia kishte bërë të ditur se rasti në fjalë është duke u hetuar, ndërsa, nuk njoftohet nëse ka ndonjë person të dyshuar apo arrestuar.
Dhjetë ditë më pas, pra me 13 prill, Policia e Kosovës ka bërë me dije se një 44 vjeçar kishte kërkuar ndihmën e policisë, pasi ka vërejtur se në dhomën e tij mundojnë stolitë e arit në vlerë të 600 eurove. E kjo dyshohej se i erdhi nga vëllai i tij, për të cilin thotë se pa leje është futur brenda dhomës së gjumit dhe ka vjedhur stolitë. Si rezultat i denoncimit, 32-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
E lidhur me këto raste SuharekaOnline ka arritur të kuptoj nga Policia e Kosovës në Suharekë edhe disa prej vendeve (fshatrave) të cilat janë të prekura më së shumti nga vjedhjet. Sipas të dhënave pas Qytetit të Suharekës i cili për tre muaj regjistroi 6 raste të vjedhjeve, renditet fshati Samadrexhë me numrin më të madh të rasteve të vjedhjeve ku për tre muaj u raportuarn tri raste të tilla. Pas Samadrexhës me nga dy raste të vjedhjeve renditen fshatrat si: Greikoci, Vraniqi dhe Mohlani. Ndërsa, me nga një rast të vjedhjes janë fshatrat: Bukoshi, Vraniqi, Peqani, Gelanca Shiroka dhe Reshtani.
Vendet e rasteve ku ka ndodhur vjedhja | Numri i rasteve të vjedhjeve për tre muaj |
Suharekë | 6 |
Samadrexhë | 3 |
Greikoc | 2 |
Vraniq | 2 |
Bukosh | 1 |
Savrovë | 1 |
Peqan | 1 |
Gelancë | 1 |
Mohlan | 2 |
Shirokë | 1 |
Reshtan | 1 |
Rikujtojmë se gjatë vitit 2022 në Stacionin Policor në Suharekë janë raportuar 63 raste të vjedhjeve dhe 7 tentim për vjedhje. Ndërsa në vitin 2021 janë regjistruar 84 raste të vjedhjeve dhe 17 raste të tenimit për vjedhje.
Gazetare, Eurolinda Zenelaj – SuharekaOnline