Çfarë ndodhi në Suharekë? – Ngjarjet nga java e kaluar

29.03.2021

Si shumë javë të tjera edhe java që e lamë pas kishte qenë e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, politikën dhe ngjarjet e raportuara në Policinë e Kosovës në Suharekë. Situata me pandeminë COVID-19 javën e kaluar ka vazhduar njëjtë me trendin e javës paraprake, një gjë e tillë është […]

Çfarë ndodhi në Suharekë? – Ngjarjet nga java e kaluar Foto: Ilustrim

Si shumë javë të tjera edhe java që e lamë pas kishte qenë e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, politikën dhe ngjarjet e raportuara në Policinë e Kosovës në Suharekë.

Situata me pandeminë COVID-19 javën e kaluar ka vazhduar njëjtë me trendin e javës paraprake, një gjë e tillë është bërë e ditur nga raportimet ditore nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur se brenda një jave në Komunën e Suharekës janë identifikuar 3 raste pozitive me COVID-19 dhe janë regjistruar 3 viktima të moshave të ndryshme.

Më datë 24 mars të këtij viti në Komunën e Suharekës janë identifikuar 12 raste pozitive me COVID-19 dhe janë regjistruar 2 viktima, numër ky rekord përbrenda javës.

DataNr. i rasteve pozitiveNr. i viktimave
20 mars, 202130
21 mars, 202160
22 mars, 202170
23 mars, 202120
24 mars, 2021122 (77, 78 vjeç)
25 mars, 202130
26 mars, 202120
27 mars, 202111 (63 vjeç)
TOTAL:363

Javën që lam pas Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqeniës Sociale në Suharekë ka publikuar listën e aplikantëve të konkursit për dy mjek/e të praktikës së përgjithshme në QKMF-në e Suharekës.

DSHMS-Suharekë ka bërë të ditur se duke u bazuar në konkursin e datës 02.03.2021 Nr. 06/568 për vendin e punës: Dy mjek/e të praktikës së përgjithshme në QKMF në Suharekë kanë konkuruar këta kandidatë:

  1. Genc Berisha 06. Nr. 531
  2. Musli Elshani 06. Nr. 539
  3. Egzona Berisha 06. Nr.544
  4. Drenushë Gashi 06. Nr. 553
  5. Besian Gashi 06. Nr. 554
  6. Faik Maliqaj 06. Nr 555

Të martën e javës së kaluar Oda e Mjekëve të Kosovës ka ndarë mirënjohje për stafin mjekësor të QKMF-së në Suharekë.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë ka bërë të ditur se sot gjatë ditës së martë Oda e Mjekëve të Kosovës ka ndarë mirënjohje për stafin mjekësor të QKMF-së në Suharekë për kontributin e dhënë në pandemi, për kujdesin e shtuar per pacient me Covid-19, në Diagnostifikim, Hulumtim dhe në menagjimin e rasteve.

‘Sot Drejtoresha e QKMF-së ka pranuar mirënjohjen në emër te institucionit tonë!” thuhej në njoftimin e QKMF-Suharekë, përcjellë SuharekaOnline.

Të martën e kaluar poashtu SuharekaOnline kishte raportuar për statistikat vitale të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me të dhënat administrative preliminare për muajin janar, 2021.

ASK në këto statistika ka bërë të ditur numrin e lindjeve, vdekjeve dhe kurorëzimeve për 38 komuna të Kosovës. Në bazë të këtyre statistikave bëhet e ditur se gjatë muajit janar të këtij viti, në Komunën e Suharekës janë kurorëzuar 103 çifte. Me këtë numër të kurorëzimeve nga 38 komuna, Suhareka renditet si komuna e gjashtë për nga numri më i madh i tyre.

Ndërsa, komuna e parë për nga numri i kurorëzimeve është Komuna e Prizrenit ku vetëm në muajin janar të këtij viti janë kurorëzuar 160 çifte, duke lënë pas Prishtinën me 122, Ferizajin me 112, Podujevën me 110 dhe Malishevën me 109.

Në shpenzimet e periudhës janar-dhjetor 2020 sipas njësive buxhetore dhe kodeve ekonomike të Komunës së Suharekës, ndër tjera figurojnë edhe shpenzimet për dreka zyrtare, telefoni mobile dhe karburante për vetura.

Në bazë të raportit të vitit paraprak 2020 të siguruar nga SuharekaOnline rezulton që Zyra e Kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, për vitin 2020 ka shpenzuar 2,255.36€ për telefoni mobile ose 785.05€ më pak se në vitin 2019.

Krahasuar me vitin 2019 shpenzime më të mëdha për telefoni mobile ka bërë arsimi fillor, i cili në vitin 2019 kishte shpenzuar vetëm 550 € ndërsa në vitin 2020 ka gjashtëfishuar këto shpenzime, gjithsej 3,155.00 €.

Në total për vitin 2020 Komuna e Suharekës ka shpenzuar 19,913.61 € për telefoni mobile ose 7,277.63 € më pak se në vitin 2019.

Pavarësisht, situatës së krijuar Komuna e Suharekës gjatë vitit 2020 ka shpenzuar plotë 21.592,19 euro për dreka zyrtare.

Në bazë të raportit fiskal të vitit paraprak 2020, të siguruar nga SuharekaOnline rezulton që Zyra e Kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka shpenzuar 2.118,40 euro për dreka zyrtare.

Shpenzime më të mëdha për dreka zyrtare në vitin e kaluar janë bërë për Shërbimet Kulturore, ku bëhet e ditur se janë shpenzuar gjithsejt 5.026,20 euro.

Gjatë ditës së premte, më 26 mars të këtij viti janë bërë 22 vite nga masakra e Familjes Berisha në Suharekë, për nderë të secilës lokali ku ata u vranë u kthye në muze, i investuar nga fondacioni ”Golden Eagle” me pronar Shaqir Palushi.

Në 22 përvjetorin e kësaj masakre homazhe në Kompleksin Memorial të viktimave të familjes Berisha kanë bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, deputetet e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Satanda Bogujevci, Vasfije Krasniqi, kanidati për president nga AAK, Ramush Haradinaj, të cilët u pritën nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj dhe zyrtarë të tjerë të komunës.

Si në javët e tjera edhe gjatë kësaj jave u raportuan ngjarje nga më të ndryshmet edhe nga Policia e Kosovës në Suharekë.

Një ngjarje e rrallë është raportuar të martën, ku është bërë e ditur se një grua në fshatin Sallagrazhdë të Suharekës ka tentuar të vetvritet duke konsumuar substanca kimike.

Lajmin për SuharekaOnline e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisës së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj i cili ka thënë se gruaja në fjalë është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren dhe sipas mjekut, gjendja e saj shëndetësore është stabile.

Poashtu, javën e kaluar një tjetër ngjarje jo e zakonshme ishte raportuar nga një mashkull nga fshati Papaz, i cili ka raportuar se një femër i ka kërkuar para duke e kërcënuar se nëse ai nuk i jep para, e dyshuara do t’ia publikojë bisedat dhe videot të cilat viktima ia ka dërguar.

Në mëngjesin e së mërkurës në Shirokë të Suharekës, Policia e Kosovës në Suharekë ka ndaluar një automjet, drejtuesi i të cilit nuk i kishte respektuar masat anti-COVID.

Në momentin që policia ka filluar t’i shqiptojë tiketën për mosvendosjen e maskës, njëri nga të ndaluarit ishte revoltuar dhe ka ofenduar zyrtarët policorë.

Lajmin për SuharekaOnline e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj, i cili ka bër të ditur se dje rreth orës 09:30 në Shirokë, policia ka ndaluar një automjet, drejtuesi i të cilit nuk i kishte respektuar masat anti-COVID dhe poashtu kishte prishur rendin dhe qetësinë publike, duke shtuar se ne automjetin e ndaluar nga policia kanë qenë dy persona.

Osmanollaj tutje ka thën se një person është proceduar për shkak të mosmbajtjes së maskës, bashkë me të edhe deshmitari i rastit, ku pas intervistimit rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.