Çfarë ndodhi në Suharekë? – Ngjarjet nga java e kaluar

Çfarë ndodhi në Suharekë? –  Ngjarjet nga java e kaluar
Eurolinda Zenelaj

22.03.2021 / Suhareka

Si shumë javë të tjera edhe java që e lamë pas kishte qenë e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, politikën dhe ngjarjet e raportuara në Policinë e Kosovës në Suharekë.

Situata me pandeminë COVID-19 javën e kaluar ka vazhduar njëjtë me trendin e javës paraprake, këtë po e dëshmon fakti që Komuna e Suharekës përsëri ka vazhduar të jetë pjesë e zonës së verdhë, shkruan SuharekaOnline.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur se në Komunën e Suharekës brenda 7 ditësh janë konfirmuar 56 raste pozitive me COVID-19 dhe është regjistruar një viktimë e moshës 78 vjeç.

Në ditën e 17 dhe 19 të muajit mars të këtij viti në komunën e Suharekës ishin regjistruar nga 10 raste të reja me COVID-19, numër ky më i lartë duke e krahasuar me ditët e tjera brenda kësaj jave.

DataNr. i rasteve pozitiveNr. i viktimave
13 mars, 202190
14 mars, 202181 (78 vjeç)
15 mars, 202140
16 mars, 202130
17 mars, 2021100
18 mars, 202190
19 mars, 2021100
20 mars, 202190

Javën e kaluar, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat vitale me të dhëna administrative preliminare. Në bazë të statistikave të publikuara nga ASK bëhet e ditur se në muajin janar të vitit 2021, në QKMF-Suharekë janë lindur gjithsej 7 foshnje, raporton SuharekaOnline.

ASK-ja poashtu ka bërë të ditur se nga këto 7 foshnje të lindura në QKMF-Suharekë, prej tyre 4 janë të gjinisë mashkullore dhe 3 të tjera janë të gjinisë femërore.

Përveç kësaj, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar edhe për numrin e nënave në bazë të vendndodhjës së përherëshme, e prej të cilave bëhet e ditur se gjithsej 93 nëna nga Komuna e Suharekës kanë sjellë në jetë foshnjet e tyre.

Gjatë kësaj jave, qytetarët e Kosovës kanë hasur në vërshtirësi për të udhëtuar nga qyteti në qytet pasi që Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka pezulluar linjat në të gjithë vendin në shenjë greve.

Kjo për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve dhe Qeverisë së Kosovës për subvencionin e operatorëve në këtë sektor. Shumë qytetarë nga Komuna e Suharekës gjatë kësaj jave kanë hasur në një vërshtirësi të tillë, pasi që autobusat ndërurban kanë pezulluar linjat e tyre në shenjë proteste. Mirëpo, me një vërshtirësi të tillë nuk janë përballur qytetarët të cilët udhëtojnë me autobusat urban dhe ata ndërkombëtar pasi që të njëjtit nuk iu janë përgjigjur kësaj thirrjeje.

Javën që lamë pas, deputeti i zgjedhur i Lëvizjës Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetar i degës së LVV-së në Suharekë, Salih Zyba është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj të mërkurën ka nënshkruar marrëveshje për Grantin e Performacës Komunale. Muharremaj përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook ka bërë të ditur se gjatë ditës së mërkurë, me përfaqësuesit e MAPL, ka nënshrkuar marrëveshje për Grantin e Performancës Komunale, e cila ka për qëllim bashkëpunimin mes palëve për pjesëmarrje në Grantin e Performancës Komunale (GPK) në vitin 2021 dhe krijon kornizën për përkrahje financiare në ngritje të performancës komunale. Muharremaj tutje ka bërë të ditur se kjo marrëveshje mes MAPL, Komunës së Suharekës dhe Helvetas Swiss Intercooperatinon Kosova, e obligon komunën që të shfytëzojë dhe menaxhojë sipas ligjit fondet e marra nga GPK.

Të mërkurën Policia e Kosovës në Suharekë, ka bërë të ditur se kanë arrestuar dy persona të dyshuar.

Në bazë të informcaioneve që kishte pasur SuharekaOnline bëhej e ditur se gjatë ditës së mërkurë rreth orës 08:40 Policia e Kosovës në Suharekë ka arrestuar dy persona të dyshuar (meshkuj), pasi që të njëjtit pas një mosmarrveshje e kanë sulmuar fizikisht një viktimë (mashkull) në rrugën ”Fadil Kabashi” në Suharekë. Si pasojë e rrahjes viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Poashtu, më datë 03 mars të këtij viti nga Policia e Kosovës në Suharekë ishte raportuar për një grabitje në një pompë derivatësh në Suharekë. Burime të SuharekaOnline kishin bërë të ditur se të mërkurën (03.03.2021) rreth orës 04:30 një person 17 vjeçar kishte raportuar në Policinë e Kosovës në Suharekë se në vendin e tij të punës kanë hyrë dy persona të panjohur, me ç’rast i kanë grabitur nj shumë parash, ku po pretendohet të jenë rreth 1,500 euro. Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës në Suharekë për SuharekaOnline ka bërë të ditur se të mërkurën (18.03.2021) është arrestuar edhe një person i dyshuar, 42 vjeçar. Burime të SuharekaOnline bëjnë të ditur se personi në fjalë kishte qenë në arrati dhe gjatë ditës së mërkurë është vetdorëzuar në polici. Tutje është bërë e ditur se 42 vjeçari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.  

Gjatë ditës së premte në një kafiteri në Suharekë, ishin grumbulluar numër i madh i personave, ku sipas burimeve të SuharekaOnline ata kishin filluar që të argëtoheshin nën tingujt e muzikës me zë të lartë, gjë e cila i kishte shqetësuar edhe qytetarët për rreth, të cilët edhe kanë njoftuar policinë.

Lajmin për SuharekaOnline e kishte konfirmuar edhe komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj ku ka bërë të ditur se gjatë ditës së premte në një kafiteri në rrugën ”Brigada 123” në Suharekë, policia e Suharekës ka dënuar 25 persona, duke e përfshirë edhe pronarin e lokalit, i cili kishte lejuar grumbullimin e shumë personave, duke shkelur masat anti-COVID.

Javën që lamë pas gjendja me pandeminë, në shkollat e Komunës së Suharekës kishte qenë e qetë dhe stabile, pasi që nuk ka rezultuar pozitiv me COVID-19 asnjë nxënës apo mësimdhënës, kështu ka bërë të ditur për SuharekaOnline, drejtori i DKA-së në Suharekë, Remzi Bajselmani.

Bajselmani, ka bërë të ditur se nxënësi nga SHFMU ”28 Nëntori” në Dobërdelan, i cili kishte qenë i infektuar me COVID-19 është rikthyer në shkollë dhe se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

Ai tutje ka thënë se edhe 6 nxënësit e tjerë nga Gjimnazi ”Jeta e Re” në Suharekë, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të njëjtit pritet të rikthehen në bankat shkollore gjatë ditës së hënë.

I pyetur për propozimin e Ministrisë së Arsimit për pushimin njëjavor, Bajselmani për SuharekaOnline ka thënë se nvaret nga vendimi që e merr qeveria, duke shtuar se shkollat e Komunës së Suharekës janë të gatshme që të mbajnë mësim sipas skenarit ”A”, në mënyrë fizike, pasiqë gjendja është e mirë, stabile dhe e menaxhueshme.

Gjithashtu, drejtori i DKA-Suharekë, Remzi Bajselmani ka bërë thirrje për nxënësit dhe mësimdhënësit e të gjitha shkollave të Komunës së Suharekës, që të respektohen masat anti-COVID, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve.

RAPORTO