Çfarë ndodhi në Suharekë? – Ngjarjet nga java e kaluar

15.03.2021

Si shumë javë të tjera edhe java e dytë e muajit mars të këtij viti ka qenë javë e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet duke i përfshirë pothuajse të gjitha fushat, si politikën, shëndetësin dhe ngjarjet e raportuara nga Policia e Kosovës. Java që e lam pas në përgjithësi ka qenë e qetë […]

Çfarë ndodhi në Suharekë? – Ngjarjet nga java e kaluar Foto: Ilustrim

Si shumë javë të tjera edhe java e dytë e muajit mars të këtij viti ka qenë javë e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet duke i përfshirë pothuajse të gjitha fushat, si politikën, shëndetësin dhe ngjarjet e raportuara nga Policia e Kosovës.

Java që e lam pas në përgjithësi ka qenë e qetë në Komunën e Suharekës.

Gjatë javës së kaluar, për nderë 07 marsit, të ditës së mësuesit, drejtori i drejtorisë së arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani së bashku me kryetarin e komunës, Bali Muharremaj kanë ndarë mirënjohje për ish-drejtorët dhe mësimdhënësit e dalluar.

Në javën që lamë pas në Komunën e Suharekës gjendja me pandeminë COVID-19 pothuajse kishte vazhduar me trendin e javës paraprake, numri i rasteve pozitive me këtë virus në javën që shkoi ishte numër i konsiderueshëm, këtë e dëshmon edhe fakti që Komuna e Suharekës u kategorizua përsëri në zonën e verdhë.

Në bazë të raportimeve ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë që përcjellë SuharekaOnline ishte bërë e ditur se brenda një jave janë regjistruar 72 raste pozitive me COVID-19 dhe 2 viktima nga ky virus, një i moshës 43 vjeç dhe një 70 vjeç.

Gjendja me pandeminë COVID-19 javën e kaluar ishte rënduar edhe në shkollat e Komunës së Suharekës, kështu kishte bërë të ditur, drejtori i DKA-së Remzi Bajselmani.

Bajselmani për SuharekaOnline kishte thënë se të infektuar me COVID-19 janë 7 nxënës, prej tyre 6 në Gjimnazin ”Jeta e Re” në Suharekë dhe një nxënës në SHMFU “28 Nëntori” në fshatin Dobërdelan.

Në javën që lamë pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), mëngjesin e së shtunës ka bërë certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit. KQZ-ja ka bërë të ditur se në Komunën e Suharekës Lëvizja Vetëvendosje ka marrë gjithsej 11.843 vota apo 41,143% duke lënë pas Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me 5.366 vota apo 18.642%, raporton SuharekaOnline.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës në Komunën e Suharekës është renditur e treta me 5.249 vota apo 18.235%, Partia Demokratike e Kosovës me 4.787 vota apo 16.630% është renditur partia e katërt.

Pas certifikimit të rezultateve për zgjedhjet e 14 shkurtit, KQZ-ja ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 19 ulëse, LDK-ja 15 ulëse, AAK-ja 8 ulëse, ndërsa Lista Serbe 10 ulëse.

Ndërsa, deputetët nga Komuna e Suharekës që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës janë: Salih Zyba (LVV) me 10,350 vota, Albena Reshitaj (AAK) me 5,916 vota dhe Albana Bytyqi (AAK) me 4,420 vota.

Javën që lamë pas Policia e Kosovës në Suharekë kishte njoftuar se ka arrestuar një person, i cili dyshohet të ketë vjedhur 1,500 euro në një pompë derivatësh në Suharekë, lidhur me këtë rast ka njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Prizren, ku ka bërë të ditur se ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje për 30 ditë për të pandehurin për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka vjedhur 1,500 euro në një pompë derivatësh në Suharekë.

”I pandehuri S.H., me datë 3 mars, në orët e hershme të mëngjesit në pompën e derivateve, i pandehuri me një person tjetër me kanosje e përvetësojnë në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e luajtshme të personit tjetër, në atë mënyrë që të pandehurit vendosin maskat anti – covid të veshur me xhaketa dhe kapuç ngjyrë të zezë, i afrohen viktimës, dhe i drejtohen me fjalët ‘’ mos lëviz vetëm na jep para”, viktima nga frika fillimisht i ngrit duart lart dhe jep para në vlerë prej 1.500 (një mijë e pesëqind) euro, dhe i pandehuri S.H., pasi i pranon të hollat së bashku me personin tjetër i cili është në arrati largohen në këmbë me shpejtësi.” thuhej në njoftimin e prokurorisë.

Në javën e kaluar, në Komunën e Suharekës ishin raportuar 3 raste të falsifikimit të parave, për të cilat janë arrestuar dy persona të dyshuar, B.K 21 vjeçar dhe D.G 32 vjeçar.

Lidhur me këtë rast ka njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Prizren, e cila dy të pandehurve iu ka caktuar masën e paraburgimit me kohëzgjatje prej një muaj.

”Me datat 7 dhe 8 mars, i pandehuri D.G., duke e ditur që paratë janë të falsifikuara, i vë në qarkullim në tre raste, kartëmonedhat prej pesëqind (500) euro, (në atë mënyrë që paraprakisht merren vesh me të pandehurin B.K.,) ashtu që fillimisht i pandehuri D.G., i lë paratë në një vend të caktuar, e më pas shkon i pandehuri B.K., dhe pasi i merr paratë e falsifikuara i vë në qarkullim në lokacione të ndryshme duke i kërkuar të dëmtuarve që paratë e falsifikuara ti këmbej me bankënota më të vogla, dhe pasi të dëmtuarit i kryejnë këtë shërbim më pas i pandehuri B.K., këto para i kthen tek i pandehuri D.G., në vendin e njëjtë ku i kishte marrë paratë e falsifikuara, dhe për këtë shërbim i pandehuri B.K., fiton njëqind (100) euro” thuhej në njoftimin e prokurorisë.

Policia e Kosovës në Suharekë në mbrëmjen e së premtës ka gjobitur 22 persona të cilët nuk kishin respektuar masat anti-COVID.

SuharekaOnline ka mësuar se në mbrëmjen e së premtës, rreth orës 23:40, Policia e Suharekës gjatë inspektimit të lokaleve për respektimin e masave anti-COVID, në një lokal video-lojërash ka hasur në një grup personash të cilët kanë shkelur ligjin anti-COVID dhe se të njëjtit janë gjobitur nga Policia e Suharekës.

Lajmin për SuharekaOnline e ka konfirmuar edhe komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj, i cili ka thënë se policia në bazë të ligjit anti-COVID ka gjobitur rreth 21 persona të cilët kanë qenë brenda në lokalin e video-lojërave dhe pronarin.