Çfarë ndodhi në Suharekë? – Ngjarjet nga java e kaluar

Sikur shumë javë të tjera edhe kjo javë ka qenë e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet, duke i përfshirë pothuajse të gjitha fushat, si politikën, shëndetësin dhe ngjarjet e raportuara nga Policia e Kosovës.

Java e kaluar në përgjithësi ka qenë e qetë për Komunën e Suharekës.

Policia e Kosovës në Suharekë gjatë kësaj jave ka raportuar ngjarjet nga më të ndryshmet, po e fillojmë nga një ngjarje të cilën e ka raportuar një femër nga fshati Sopijë e Suharekës, e cila ishte kanosur dhe sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull.

Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se rreth orës 23:00 të hënën më 15 shkurt është raportuar një rast i dhunës në familje dhe kanosje në fshatin Sopijë të Suharekës ku është arrestuar i dyshuari mashkull pasi që i njëjti vazhdimisht e ka kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën femër. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në qendrën e ndalimit për 6 orë.

Ndërsa, një rast i ndërhyrjës dhe publikimit të fotografive me përmbajtje të ulët ka ndodhur në fshatin Samadraxhë, ku është bërë e ditur se një mashkull ka raportuar se persona të panjohur kanë ndërhyrë në rrjtin e social dhe i kanë publikuar fotografi me përmbajtje të ulët, SuharekaOnline kishte mësuar se rasti në fjalë është njoftuar edhe prokurori.

Gjatë javës që e lamë pas poashtu një njoftim ishte bërë edhe nga Gjykata Themelore në Prizren e cila kishte bërë të ditur se mbrojtja e Shefki Spahiut i cili ka qenë i dyshuari kryesor dhe i vetëm për vrasjen e 32 vjeçarit, Jetmir Aliaj, me anë të një ankese në Gjykatën e Apelit ka propozuar që ky vendim të anulohet dhe të bëhet ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje gjatë tronditjes së rëndë mendore. Mbrojtësi i të akuzuarit Spahiu, avokati Emrush Kastrati para kolegjit të Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk e kishte aprovuar asnjë propozim të provave nga ana e mbrojtjes. Ai më tutje ka thënë se është shkelur e drejta e barazisë së palëve në procedurë sepse nuk mjafton vetëm të dëgjohen palët dhe të vendoset në bazë të provave të vetëm njërës palë. Lidhur me ankesën e mbrojtjes, prokurori i Apelit Haxhi Dërguti ka kërkuar që të refuzohet si e pabazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet ndërsa ka deklaruar se kjo prokurori me kohë i ka pranuar të gjitha shkresat e lëndës. Këtë qëndrim të Prokurorisë së Apelit e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Arben Ramadani duke shtuar se aktgjykimi i shkallës së parë ka qenë i drejtë.

Ndërsa, sa i përketë situatës me pandeminë COVID-19, Komuna e Suharekës gjatë kësaj jave ka qenë pjesë e zonës së gjelbër, zonë kjo me rrezikshmëri të ulët të përhapjes së infeksionit me COVID-19.
SuharekaOnline ka përcjellur raportet ditore të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike prej datës 15 deri më 22 shkurt e që bëhet e ditur se për këto 7 ditë në Komunën e Suharekës janë identifikuar 21 raste pozitive dhe janë raportuar 2 viktima.

Gjatë javës së kaluar SuharekaOnline ka kontaktuar edhe me drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabanin, për ta pyetur lidhur me gjendjen e disa rrugëve të cilat janë dëmtuar nga reshjet e shumta të shiut.

Shabani ka folur lidhur me hapat që është duke ndërmarr Komuna e Suharekës për sanimin e këtyre rrugëve, ai ka thënë se nuk kanë ndonjë kompani të kontraktuar. Ai tutje tregoi se kanë kontaktuar edhe me Ministrinë e Infrastrukturës pasi që kjo rrugë konsiderohet rrugë magjistrale sepse lidh Suharekën me dy komuna të tjera, mirëpo nga ministria nuk kanë marrë përgjigjje pozitive sepse rruga gjendet brenda tabelave të Komunës së Suharekës.

Gjithashtu drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani ka thënë se janë duke shqyrtuar mundësit që të sigurohen mjetet qoftë nga fondi emergjent apo ndonjë ndarje tjetër për sanimin e këtyre rrugëve.

Ndërsa sa i përketë politikës, gjatë kësaj jave Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare prej të cilave bëhet e ditur se Lëvizja Vetëvendoje ka fituar në Komunën e Suharekës me 37.54%.

E krejt në fund artikullin po e përmbyllim me një lajm nga sporti.

Të dielën Ballkani është përballur me Feronikelin, ndeshje kjo e cila është fituar nga FC Ballkani. Me këtë fitore skuadra nga Suhareka merr kreun e tabelës me 44 pikë po aq ka edhe Drita që ka zbritur në vendin e dytë.

RAPORTO