Çfarë ndodhi në Suharekë? – Ngjarjet nga java e kaluar

15.02.2021

Kjo javë që lamë pas, pa dyshim ka qenë njëra nga javët më të ngarkuara të këtij viti, duke i përfshirë pothuajse të gjitha fushat, si politikën, arsimin, shëndetësin dhe ngjarjet e raportuara nga Policia e Kosovës. Policia e Kosovës në Suharekë gjatë kësaj jave ka raportuar ngjarjet nga më të ndryshmet, po e fillojmë […]

Çfarë ndodhi në Suharekë? – Ngjarjet nga java e kaluar Foto: Ilustrim

Kjo javë që lamë pas, pa dyshim ka qenë njëra nga javët më të ngarkuara të këtij viti, duke i përfshirë pothuajse të gjitha fushat, si politikën, arsimin, shëndetësin dhe ngjarjet e raportuara nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës në Suharekë gjatë kësaj jave ka raportuar ngjarjet nga më të ndryshmet, po e fillojmë nga një ngjarje të cilën e ka raportuar një mërgimtarë, e i cili ka thënë se në fillim të kësaj jave ka qenë cak i hajnave, SuharekaOnline ka mësuar se disa persona të panjohur kanë thyer një shtëpinë e një personi i cili jeton jashtë shtetit, duke vjedhur stoli ari dhe mjete të punës.

Rast i njejtë u raportua edhe nga një banor i fshatit Nishor pas pak ditësh, i cili ka njoftuar se persona të panjohur ia kanë thyer shtëpinë duke i vjedhur stoli ari dhe para të gatshme, vlerën e të cilave policia nuk e ka bërë të ditur.

Por ndryshe nga këto dy raste, në Policinë e Suharekës një femër ka raportuar se është kanosur nga një mashkull i panjohur për të, ajo ka treguar se nuk ka ndonjë shkak që është kanosur nga i dyshuari.

Poashtu, SuharekaOnline kupton se gjatë kësaj jave në Policinë e Suharekës një femër ka raportuar se është shantazhuar nga ish i dashuri i saj me të cilin më herët kishte pasur lidhje dashurie, sipas saj i dyshuari i ka kërkuar para vazhdimisht dhe e ka kërcënuar se në rast se nuk i jep para do t’ia publikojë fotografit dhe videot që viktima ia kishte dërguar në kohën kur ishin në lidhje.

Kohëve të fundit në Komunën e Suharekës rastet e parave të falsifikuara janë shpeshtuar edhe këtë javë një rast i tillë nuk ka munguar.

SuharekaOnline sipas burimeve ka mësuar se një punëtor i një banke ka raportuar në Policinë e Suharekës se gjatë shkarkimit të bankomatit ka vërejtur një kartëmonedhë prej 100€ që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Ndërsa, të shtunën në Suharekë aksidentalisht është lënduar një punëtor i një fabrike deri sa ishte në orar të punës. Tutje është bërë e ditur se personi në fjalë nga pakujdesia ishte duke ecur mbrapa dhe ka rrëshqitur ku edhe ka rënë në një hendek në lartësi rreth një metër. Viktima ka pësuar lëndime trupore ku edhe është dërguar në QKMF-në e Suharekës për të marrë trajtimin mjekësor, prej ku edhe është dërguar në Spital.

Gjatë kësaj jave gjendja me pandeminë COVID-19 në Komunën e Suharekës ka qenë më e lehtë, duke e krahasuar me javët e kaluara, kjo gjë u dëshmua nga numri i vogël i rasteve pozitive dhe nga kategorizimi ku Komuna e Suharekës ka kaluar nga zona e kuqe në atë të gjelbër.

Rënia e temperaturave në minus këtë fundjavë në tërë vendin poashtu edhe në Komunën e Suharekës, ka sjellë edhe reshje të shumta të borës të cilat kanë vërshtirësuar qarkullimin në shumë rrugë të komunës.

Në një prononcim për SuharekaOnline, Drejtori i Shërbimeve Publike, Enver Shabani kishte bërë të ditur se gjendja e rrugëve në komunë është vështirë e kalueshme, sepse temperaturat e ulëta e kanë vështirësuar edhe reagimin me efikasitet të kripës.

Dita e fundit e javës së kaluar, e diela, ka qenë dita ku qytetarët me të drejtë vote iu janë drejtuar kutive të votimit për të votuar të përzgjedhurit e tyre, e që tashmë procesi i numërimit të votave është afër fundit, e deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se Lëvizja Vetëvendosje në nivel vendi prinë e para me 47,89%.

Edhe në Komunën e Suharekës, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm me 9.557 vota e që në përqindje i bie 37,54%.

E në fund artikullin po e përmbyllim me një lajm nga sporti.

Më 13 shkurt FC Ballkani është përballur me FC Besën në kuadër të xhiros së 19-të në Superligën e Kosovës në futboll. Në duelin që u zhvillua në Brestovik, Ballkani arriti fitore të thellë, 3-0.

Golat për suharekasit i shënuan Edvin Kuc dhe Blendi Baftiu (x2). Pas kësaj fitore Ballkani gjendet në pozitën e dytë me 41 pikë, kurse Besa në vendin e fundit me vetëm gjashtë sosh. Kujtojmë se kjo ishte ndeshja e parë e fituar e suharekasve në drejtim të Bedi Shkëmbit.