Brenda një jave në Suharekë arrestohen 4 të dyshuar për dhunë në familje

18.07.2023

Policia e Kosovës është njëri ndër intitucionet ku qytetarët e vendit i drejtohen për raportimin e rasteve të ndryshme. Rastet si: dhuna në familje, kanosjet, kërcënimet, përdorimi i armëve, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm e shumë të tjera janë vetëm disa nga rastet të cilat pothuajse çdo ditë raportohen në stacionet policore, njëkohësisht janë edhe […]

Brenda një jave në Suharekë arrestohen 4 të dyshuar për dhunë në familje Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës është njëri ndër intitucionet ku qytetarët e vendit i drejtohen për raportimin e rasteve të ndryshme.

Rastet si: dhuna në familje, kanosjet, kërcënimet, përdorimi i armëve, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm e shumë të tjera janë vetëm disa nga rastet të cilat pothuajse çdo ditë raportohen në stacionet policore, njëkohësisht janë edhe sfida për institucionet e vendit, shkruan SuharekaOnline.

Edhe në Stacionin Policor në Suharekë janë raportuar raste të ngjashme si ato që u përmendën më lartë.

Dita e parë e javës së kaluar (e hënë) ka qenë ditë e ngarkuar për Policinë e Suharekës ku u raportuan dy raste të ndara nga njëra tjetra e të cilat janë: dhunë në familje dhe gjuajtje me armë zjarri.

Personi i parë është arrestuar në fshatin Vraniq të Suharekës, ku një person dyshohet se pas një mosmarrëveshje me vëllaun e tij për telekomandën e televizorit dhe kanalin e tyre të preferuar, kishte dal nga shtëpia dhe kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të qiellit.

Fsh. Vraniq, Suharekë 11.07.2023 – 23:25. Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se pas një mosmarrëveshje kishte shtënë me pistoletë në ajër, me ç’rast viktima është ndjerë i kërcënuar. Në vendin e ngjarjes njësia policore ka sekuestruar një revole me leje dhe një gëzhojë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.” thuhej në njoftimin e policisë.

Personi i dytë ishte arrestuar poashtu nga Policia e Suharekës, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht një familjare të tij. Viktima kishte raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga një familjar i saj, me ç’rast ka pësuar edhe lëndime trupore. Për rastin në fjalë ishte njoftuar edhe prokurori i shtetit ku me vendim të tij i dyshuari ishte dërguar në mbajtje.

Pas këtyre dy rasteve, ditët e tjera ishin më të qeta për Policinë e Suharekë sa u përketë veprave kriminale.

Ndërsa, gjatë ditës së shtunë në Stacionin Policor në Suharekë u raportuan edhe dy raste të dhunës në familje, ku viktimat kanë qenë një i gjinisë mashkullore dhe një e gjinisë femërore.

Gjatë ditës së shtunë një person ka raportuar në Stacionin Policor në Polici se është sulmuar me kaçavidë nga gruaja e tij, e cila më pastaj i ka kërkuar viktimës që të largohet nga shtëpia. Për rastin në fjalë është njoftuar edhe prokurori i shtetit ku me vendimine tij, e dyshuara është dërguar në mbajtje.

Suharekë 15.07.2023 – 10:17. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike dhe goditë me kaçavidë në dorë bashkëshortin e saj, viktimën mashkull kosovar dhe ka kërkuar nga ai të dalë nga shtëpia. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, njësiti policor ka sekuestruar mjetin- kaçavidën që dyshohet të jetë  përdorur në rast, ndërsa e dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.” thuhet në njoftimin e policisë.

Poashtu, në po të njëjtën ditë një grua (shtetase e Shqipërisë) kishte raportuar se personi me të cilin bashkëjetonte e kishte sulmuar fizikisht. Për rastin në fjalë ishte njoftuar edhe prokurori i shtetit, ku me vendimin e tij i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima ka shprehur dëshirë që të kthehet tek familja e saj në Shqipëri.