Braktisje e seancës, reagime, kundërpërgjigje, vjedhje e rrahje – Ngjarjet nga java e kaluar

Braktisje e seancës, reagime, kundërpërgjigje, vjedhje e rrahje – Ngjarjet nga java e kaluar
Saranda Bytyçi

03.05.2021 / Suhareka

Ndryshe nga javët e kaluara kjo javë në Komunën e Suharekës kishte qenë e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet sidomos në ato të politikës.

Të premtën që lamë pas është mbajtur Asambleja Komunale në Suharekë, ku ndër tjerash është diskutuar për sanimin e rrugëve të dëmtuara nga reshjet atmosferike, kryesisht ato të shiut dhe subvencionimin e personave te prekur nga COVID-19

Në seancën e Asamblesë Komunale, Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë se komuna është munduar që të rregullojë rrugën e cila lidhë Reshtan me Suharekë, rrugë kjo e cila është në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilën komuna në pamundësi të asfalitimit e ka mbushur në mënyrë që automjetet të cilat kalojnë në atë rrugë të mos kenë shumë vërshtirësi.

Ndërsa gjatë seancës së Asamblesë Komunale në Suharekë ka pasur zhurma të mëdha lidhur me disa pika të rendit të ditës, duke i përfshirë edhe ato nga seanca e kaluar ku, grupi parlamentar i LDK-së dega në Suharekë ka kërkuar vazhdimin e debatit lidhur me menaxhimin e investimeve kapitale gjë e cila nuk u mundësua nga kryesuesi, Bexhet Kuqi, i cili e ka cilësuar si të mbyllur dhe pas kësaj Grupi Parlamentar i LDK-së lëshoi Seancën e Asamblesë Komunale.

Pas lëshimit të sallës nga LDK-Suharekë në seancën e Asamblesë Komunale ka reaguar shefi I grupit parlamentar të PDK-së, Jeton Rrakaqi pasi që në seancën e Asamblesë Komunale pritej që të miratohej propozimi për riemerimin e Gjimnazit “Jeta e Re” me emrin e heroit Fadil Vata.

“Ma, se eshtë e turpshme me dal kundër emrit te Fadil Vates,e ligësht është kjo” kishte thënë Rrakaqi.

Pavarësisht braktisjes së seancës nga LDK-Suharekë kjo pikë e rendit të ditës është miratuar me 16 vota pro dhe 2 abstenime në seancën e Asamblesë Komunale në Suharekë.

Pas fjalëve të Jeton Rrakaqit LDK-Suharekë i është kundërpërgjigur deklaratës së tij, duke dërguar një shkrim në redaksinë e SuharekaOnline ku kanë thënë se është e ulët të mos e thuash të vërtetë pasi që LDK-Suharekë e ka lëshuar sallën sepse u pamundësua vazhdimi i pikës nga seanca e kaluar për menaxhimin e investimeve kapitale, e cila ka ngjallur debat tek të gjithë asambleistët.

Reagimi i plotë i LDK-Suharekë, dërguar redaksisë:

E ulët është të mos e thuash të vërteten! Përfaqësuesi i GP të PDK-së, paska deklaruar se, citim: “është e turpshme me dalë kundër emrit të Fadil Vatës, e ligësht është kjo”, duke aluduar se kjo është gjoja arsyeja pse GP i LDK-së, sot lëshoi mbledhjen e Asamblesë.

I bëjmë me dije të gjithë qytetarëve të Komunës sonë, se grupi ynë sot lëshoi mbledhjen ngase, pikërisht, pushteti dhe këta që shpifin, pamundësuan vazhdimin e një pike të seancës së kaluar dhe miratimin e një deklarate të grupit tonë , me të cilën konstatohen shkeljet e vendimeve të Asamblesë nga kryetari Muharremaj.

Një problem shumë serioz për qytetarët e Komunës tonë. Si LDK kemi qenë pro çdo vendimi që ka qenë lidhur me figurën e Fadil Vatës, si për emërtimin e sheshit, ngritjen e shtatores dhe shtëpisë muze.

Deklarimi i udhëheqësit të GP të PDK-së është paragjykues, jo i sinqertë, madje shumë tendencioz, për të krijuar opinionin se kinse ne jemi kundër heronjëve. Të gënjesh dhe paragjykosh është ligësi.

Poashtu, gjatë javës së kaluar në Komunën e Suharekës situata me pandeminë COVID-19 ka vazhduar njëjtë me trendin e javës paraprake, ku një gjë e tillë është bërë e ditur nga raportimet ditore nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur se brenda një jave në Komunën e Suharekës janë identifikuar 26 raste pozitive me COVID-19 dhe  është regjistruar një viktimë e moshës 72 vjeç.

DataNr.I rasteve pozitive Viktima
26 prill, 202101 (72 vjeç)
27 prill, 202110
28 prill, 202120
29 prill, 202140
30 prill, 202180
1 maj. 202180
2 maj, 202130

Lidhur me situatën pandemike në Asamblenë Komunale ka folur edhe Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ku i është përgjigjur pyetjes së asambleistit të pavarur, Dugagjin Palushit, i cili e kishte pyetur për subvencionimin e personave të infektuar me COVID-19 dhe familjeve që kanë regjistruar viktima nga ky virus, proces ky i cili nuk ka filluar ende. Muharremaj në përgjigjjen e tij ka thënë se një nga arsyet janë të hyrat vetanake që kanë ndikuar dhe se Ministria e Financave nuk ka dhënë ende sinjal që të bëhet alokimi i këtyre mjeteve, të cilat i përkasin Komunës së Suharekës e që bartën nga një vit në tjetrin, por që nuk janë grante.

Ndërsa arsye tjetër Muharremaj ka përmendur edhe dëmet nga vërshimet të cilat kanë ndikuar që këto mjete të mos ndahen ende, duke cekur se mjetet e Fondit Emergjent po shfrytëzohen për rregullimin e disa nga dëmeve.

Ngjarjet nuk kanë munguar as në Nga Policia e Kosovës në Suharekë ku javën e kaluar janë raportuar ngjarje nga më të ndryshmet si ato të vjedhjeve, kanosjeve, keqtrajtimeve dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë.

Policia e Kosovës në Suharekë ka njoftuar se gjatë ditës së hënë është arrestuar një person i dyshuar me inicialet P.F pasiqë i njëjti ka kryer 8 vjedhje në fshatin Budakovë.Policia e Kosovës lidhur me rastin ka dhënë detaje për SuharekaOnline ku ka treguar se 25 vjeçari e kishte marr një makinë me qira nga një kompani në qytetin e Ferizajit dhe se me të njëjten i kishte kryer vjedhjet për 7 ditë me radhë.

Poashtu, në fshatin Duhël një 27 vjeçar me inicialet D.B i cili ishte nën ndikimin e alkoolit i ka fyer me fjalë zyrtarët policorë më pastaj edhe i ka sulmuar fizikisht.

Lajmin për SuharekaOnline e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj, i cili ka thënë se me të ndaluar policia, i dyshuari me inicialet D.B i lindur në vitin 1994 fillimisht i ka fyer me fjalë zyrtarët policorë më pastaj edhe i ka sulmuar fizikisht.

Osmanollaj tutje ka bërë të ditur se si pasojë e sulmit, dy zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas një testi 27 vjeçari ka rezultuar se ka qenë nën ndikimin e alkoolit me ç’rast edhe është mbajtur 6 orë në stacionin policor.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj ka thënë se rasti në polici është hapur si rast ”Sulm ndaj personit zyrtarë” dhe se i njëjti është duke u hetuar.

Ndërsa, të martën në fshatin Peqan të Suharekës përmes rrjetit social ‘facebook’, është kanosur një person, i cili ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës në Suharekë.

Lajmin për SuharekaOnline e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj i cili ka thënë se një person nga fshati Peqan i Suharekës ka njoftuar policinë se ai dhe familja e tij kishin pranuar mesazhe kërcënuese nga një person i dyshuar.

Osmanollaj ka thënë se i dyshuari në bazë të mesazheve që ka dërguar pretendohet se jeton jashtë vendit, përkatësisht në shtetin e Gjermanisë. Pasi është informuar prokurori i shtetit, rasti është inicuar dhe i njëjti është duke u hetuar nga policia si rast ”Kanosje”.

RAPORTO