Blegtoria në fshatrat e Suharekës, nevojitet investim i shtuar|Video

18.12.2023

Blegtoria në Suharekë nuk sfidohet nga kushtet e motit as nga mungesa e tregut në dimër, por fermerët nuk kanë shumë mundësi të pajisen me teknikë. Komuna, me mundësitë që ka, ka arritur të subvencionojë qumështin me 3 centë, ndërsa ka ndarë edhe disa nga pajisjet për punë. Fshatrat e komunës së Suharekës ofrojnë kushte […]

Blegtoria në fshatrat e Suharekës, nevojitet investim i shtuar|Video Foto: Ilustrim

Blegtoria në Suharekë nuk sfidohet nga kushtet e motit as nga mungesa e tregut në dimër, por fermerët nuk kanë shumë mundësi të pajisen me teknikë. Komuna, me mundësitë që ka, ka arritur të subvencionojë qumështin me 3 centë, ndërsa ka ndarë edhe disa nga pajisjet për punë.

Fshatrat e komunës së Suharekës ofrojnë kushte të mira për kultivimin e blegtorisë. Me gjithë potencialin që ka, shumë pak banorë janë që merren me këtë zeje.

Fitim Shala nga Bajçevci kultivon delen që nga viti 2012 . Ai tha se ka punuar në Zvicër tetë vjet, por nuk e ka gjetur veten atje, ndërsa u kthye të merrej me blegtori .

” Ja kemi nis e mbaruam një stallë, jemi marrë me majmërinë e viçave, qe dy vjet e kam kthye në dele, e kam parë që është diçka më përfituese. Për momentin, me dele jemi duke shkuar mirë. E kam ndërmend që të rris numrin e bagëtive, vjet kanë qenë më pak e sivjet kemi shtuar edhe 100 copa më shumë dhe e kam ndërmend të rrisim çdo herë më shumë”, tha Fitim Shala, blegtor.

Është dimër dhe bagëtia në shumicën e kohës rrinë në stallë , pasi ka filluar lindja e qengjave, por këta fermerë i sfidon jo koha, por mungesa e teknikës, për të cilën shpresojnë ta përfitojnë përmes grandeve.

“Për momentin sfida është teknika , duhet me pas teknikë të mirë se punëtor nuk ka shumë. Firma është e regjistruar prej 2019 dhe i paguaj trustet”, shtoi Fitim Shala.

Ka katër vjet që në fermën e Fitimit është punësuar edhe Sefer Çejku, nga Shqipëria.

“Delen e kam pas zanat që i vogël , kam pas tek shtëpia dele dhe kam , por në një numër më të vogël , këtu është mirë , punoj me gjithë djalë”, tha Sefer Çejku, punëtor nga Shqipëria.

E në Delloc të kësaj komune , Sefer Destani ka një fermë të vogël me gjedhë. I kultivon ato edhe për qumësht dhe mish. Edhe pse është fshat malor, ku bie shumë borë, thotë se asnjëherë nuk do ta ndërronte këtë zanat.

” Nuk ka problem , kush do të punojë, nuk ka problem këtu. Kur punon i ke të gjitha, kur nuk punon, ke probleme. Edhe në borë i qes lopët, nuk i lë mbyllur. Djathin e shes në vend këtu, kurrë nuk e çoj në treg a diku, krejt këtu e shes”, tha  Sefer Destani, fermer nga fshati Devoc.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, thotë se e ka rritur buxhetin për Drejtorinë e Bujqësisë, por duhet edhe më shumë. Ai tha se qumështin komuna e subvencionon me 3 cent, ndërsa ndanë edhe pajisje pune .

“Qe dy vjet unë ndaj 1 milion euro buxhet për bujqësinë, do të thotë çdo vit e kemi rritur pasi e kemi pasur veç 300 mijë euro. Mirëpo 300 mijë euro kemi vetëm subvencione te bujqit, por kemi edhe ndërtimin e rrugëve, që t’u krijojmë kushte më të mira për të punuar në ara ose për të dalë në bjeshkë. Por, sikur të ishin 5 milionë euro, do të ishte mirë për të zhvilluar bujqësinë”, tha Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës.

Në këtë komunë numërohen rreth 70 blegtorë që kultivojnë gjedhë, bagëti të imta dhe shpezë.

https://fb.watch/p0pkfBdpii/