Bajselmani: Po të ishte në kompetencë të komunës mësimi do të vazhdonte në mënyrë fizike

Bajselmani: Po të ishte në kompetencë të komunës mësimi do të vazhdonte në mënyrë fizike
Herolind Bytyçi

09.04.2021 / Suhareka

Të mërkurën kanë hyr në fuqi masat e reja anti-COVID të miratuara nga Qeveria e Kosovës të cilat kanë ndikuar edhe në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Në po të njëjtën ditë për të diskutuar gjendjen aktuale në arsim dhe hapat që do të ndërmerren, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj.Arbërie Nagavci ka mbajtur takim virtual me drejtorët komunal të arsimit.

Gjatë këtij takimi është bërë e ditur se prej datës 12-16 prill 2021 niveli zero (çerdhet dhe kopshtet), klasa përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore, si dhe klasat 1 deri 5 do ta vazhdojnë procesin mësimor me praninë fizike. Ndërkaq për klasat 6 deri 9 nga shkollimi i mesëm i ulët, si dhe klasat 10 deri 12 nga shkollimi i mesëm i lartë, mësimi do të mbahet me platformat online.

Për të mësuar se cilat janë përgatitjet që janë ndërmarrë nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Suharekë, SuharekaOnline ka kontaktuar me drejtorin e këtij dikasteri, Remzi Bajselmani.

Bajselmani ka bërë të ditur se është e mirëpritur pjesa e vendimit që mësimi të vazhdojë në mënyrë fizike për nxënësit deri në klasën e pestë, ndërsa për pjesën tjetër do të jetë pak sfiduese edhe pse tashmë është bërë një përvojë nga viti i kaluar dhe se do të vazhdojë me anë të platformave Zoom, Classroom dhe forma të tjera.

“Si DKA kemi lëshuar një urdhëresë për drejtorët e shkollave që të ju krijojnë kushte mësimdhënësve që ta zhvillojnë mësimin nga objektet shkollore, ku janë kushtet më komode” ka shtuar Bajselmani.

I pyetur nëse ndonjë shkollë në Komunën e Suharekës ka mungesë të pajisjeve teknologjike, Bajselmani ka thënë se shumica e shkollave kanë laptopë, projektor dhe pajisje tjera përcjellëse për zhvillimin e procesit mësimor.

Drejtori i DKA-së, Remzi Bajselmani, gjithashtu ka treguar se gjatë kësaj jave janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të hënën mësimi në mënyrë fizike [çerdhet deri në klasën e V-të] të vazhdojë pa asnjë pengesë, duke filluar që nga dezinfektimi i objekteve shkollore, pajisja e tyre me dezinfektues dhe mjete higjienike.

Edhe pse në disa raste mbajtja e mësimit në mënyrë fizike është ndërprerë dhe ka vazhduar në platformën online, Bajselmani tregon se në bazë të raporteve deri më tani planprogrami është realizuar deri në masën mbi 98%.

Duke folur për numrin e mësimdhënësve të infektuar me COVID-19 ai ka treguar se periudha e parë gjatë muajve nëntor dhe dhjetor ka qenë shumë më e ngarkuar, krahasuar me periudhën e dytë ku numri i mësimdhënësve të infektuar ishte dukshëm më i vogël.

Në rast që përgjegjësia për vazhdimin e mësimit në mënyrë fizike apo online bartet në nivel të komunave, Bajselmani ka thënë se ne jemi zotuar se e kemi situatën nën menaxhim dhe mundemi me vazhdu me skenarin A, dhe atë duke u mbështetur në raportime ditore të drejtorëve të shkollave dhe task-forcave.

RAPORTO