Bajselmani: Mësimi po zhvillohet pa pengesa në të gjitha shkollat, ndërsa në “Destan Bajraktari” orët shkurtohen për mungesë rryme

18.11.2025

Reshjet e pandërprera të shiut që kanë përfshirë vendin ditëve të fundit kanë krijuar vështirësi në shumë sektorë, përfshirë komunikacionin dhe furnizimin me energji elektrike.


Situata e rënduar atmosferike ka detyruar disa shkolla në Prishtinë të ndërpresin procesin mësimor për shkak të kushteve të pafavorshme.

Ndërkohë, në komunën e Suharekës situata paraqitet më e qetë. Lidhur me këtë, SuharekaOnline ka kontaktuar drejtorin e Arsimit në këtë komunë, Remzi Bajselmani, i cili konfirmoi se procesi mësimor në të gjitha shkollat e Suharekës ka filluar me kohë dhe po zhvillohet normalisht.

“Në të gjitha shkollat e komunës së Suharekës mësimi ka filluar dhe deri më tani nuk kemi ndonjë problem në objektet shkollore,” u shpreh Bajselmani.

Megjithatë, ai shtoi se sfidë gjatë ditës së sotme paraqet mungesa e energjisë elektrike, e cila ka ndikuar në organizimin e orëve mësimore në disa shkolla.

“Vështirësi sot është mungesa e energjisë elektrike. Në SHFMU ‘Destan Bajraktari’, për shkak të kësaj situate, orët mësimore do të shkurtohen,” ka theksuar ai.

Bajselmani poashtu, ka thënë se dhe në çerdhen e qytetit “Fluturat” sot janë përballur me mungesë të ushqimit, shkaku që disa furra nuk kanë punuar, e krejt kjo nga mungesa e energjisë elektrike, po që është bërë zgjidhje.

Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar rrezik për vërshime, si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve të shiut, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve të jenë të kujdesshëm në orët dhe ditët në vazhdim.

Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm, ndërsa ekipet komunale dhe institucionet përkatëse janë në gatishmëri për të menaxhuar çdo problem të mundshëm që mund të shkaktojnë reshjet., si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve të shiut, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve të jenë të kujdesshëm në orët dhe ditët në vazhdim.