Avokati i Popullit rekomandon Komunën e Suharekës të sigurojë vend për hedhjen e kafshëve të ngordhura

Avokati i Popullit ka publikuar raportin me rekomandime Ex-officio në lidhje me rrezikun që u kanoset qytetarëve nga qentë endacakë.

Ky raport ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e institutcioneve shtetërore për trajtimin dhe ndërmarrjen e masave përkatëse lidhur me rrezikun nga qentë endacakë ndaj qytetarëve, në veçanti ndaj fëmijëve, përkatësisht me mbrojtjen e jetës dhe sigurinë e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet si dhe me instrumentet e tjera ndërkombëtare.

“Pas rishikimit të legjislacionit përkatës, të instrumenteve ndërkombëtare, të dokumentacionit të çështjes si dhe të të dhënave të cilat Institucioni i Avokatit të Popullit i ka në dispozicion, rezultoi se në rastin konkret ka pasur shkelje të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, përkatësisht të të drejtave të fëmijëve, pasi institucionet përkatëse nuk i kanë përmbushur detyrimet kushtetuese, ligjore e as standardet ndërkombëtare, të zbatueshme në Republikën e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha masave për mbrojtjen e qytetarëve nga rreziku që u kanosej nga qentë endacakë”, thuhet në njoftimin për media.

Avokati i Popullit thotë se përkundër përpjekjeve të disa komunave për t’u përballur me çështjen e trajtimit të qenve endacakë, gjendja nuk ka ndryshuar shumë për shkak të mungesës së një plani kombëtar dhe të moskoordinimit ndërkomunal dhe ndërinstitucional që do ta adresonte atë.

“Avokati i Popullit vlerëson se mungesa e strehimit për qentë endacakë është problem serioz në nivel vendi dhe komunat nuk kanë qendër për trajtim të përkohshëm të kafshëve si dhe nuk kanë siguruar një vend të veçantë për hedhjen e sigurt të kafshëve të ngordhura, sipas Udhëzimit Administrativ nr.04/2017. Raporti jep rekomandime specifike dhe konkrete për veprimet që duhet t’i ndërmarrin institucionet përkatëse shtetërore lidhur me çështjen”, thuhet më tej në njoftim.

Ditë më parë Kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës kanë kërkuar edhe një herë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AVUK) që seriozisht të merret me trajtimin e qenve endacak sepse këtë përgjegjësi me buxhet shtesë në vlerë miliona euro e ka marrë dhe vazhdon ta ketë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që nga viti 2018.

Avokati i popullit ka rekomanduar Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që të nxjerrë aktin nënligjor, me të cilin do ta përcaktojnë mënyrën licencimit dhe të rregullimit të rezervateve dhe vendstrehimeve për kafshët me dhe pa pronar në pajtim me nenin 14 të Ligjit për përkujdesjen ndaj kafshëve.

Avokati i Popullit ka rekomanduar edhe Ministrinë e Arsmimit dhe Shkencës të organizojë fushata edukimi për mbrojtje dhe sjelljen ndaj qenve endacakë përmes shpërndarjës së fletushkave, librave informativë apo vizitave në orët mësimore nga ekspertëve për sjelljen e kafshëve.

Gjithashtu rekomandime nga avokati i popullit ka edhe për Agjensinë e Ushqimit dhe Vetenarisë ku iu rekomandohet të zbatojnë udhëzimin administrativ (MBPZHR)- Nr02/2018 si autoritet kompetent, që parasheh regjistrimin e të gjitha kafshëve shtëpiake në mënyrë që mbajtësit e kafshëve, dyqanet kafshëve dhe të tjerët që merren me kafshë shtepiake shoqëruese të identifikohen dhe regjistrohen në nivel shteti.

Gjithashtu Avokati i Popullit rekomandime të ndryshme ka dhënë edhe për disa nga Komunat e Kosovës ku njëra ndër to është edhe Komuna e Suharekës.

Avokati i Popullit e ka rekomanduar Komunën e Suharekës që të krijojë dhe funksionalizojë qendrën për trajtimin e përkohshëm të kafshëve dhe të sigurojë një vend të veçantë për hedhjen e sigurt të kafshëve të ngordhura sipas Udhëzimit Administrativ nr. 04/2017.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.