Ardhja e mërgimtarëve për festat e fundvitit, kolona në hyrje-daljet e Suharekës
Festat e fundvitit po i rikthejnë mërgimtarët tanë nga vendet e largëta në vendlindje, pranë familjeve dhe të afërmve të tyre. Me ardhjen e tyre, në rrugët e Suharekës është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të automjeteve, si dhe një qarkullim më i madh i qytetarëve në përgjithësi.
Qyteti është gjallëruar dukshëm, me prani të shtuar të njerëzve në institucione, sheshe, kafiteri dhe veprimtari të ndryshme, duke krijuar një atmosferë festive dhe dinamike. Megjithatë, fluksi i madh i automjeteve, kryesisht me targa të huaja, ka sjellë edhe ngarkesë në rrugët kryesore të qytetit.
Kolona dhe pritje disa minutëshe janë regjistruar që nga orët e hershme të mëngjesit të së hënës, ndërsa fillimi i kësaj jave dëshmon për një numër të madh mërgimtarësh që kanë ardhur nga diaspora për t’i kaluar festat në vendlindje.
Pavarësisht ngarkesës në trafik, drejtuesit e automjeteve dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion mund të shfrytëzojnë rrugët dytësore dhe alternative, ku qarkullimi është më i lehtë dhe nuk krijohen kolona të gjata sikurse në rrugët kryesore.