Trondit opinionin publik Allan Saint-Maximin: Akuzon rëndë Fenerbahçen për “luftë toksike” dhe drogim
Sulmuesi francez flet hapur për përvojën e tij të rëndë në Turqi, ndërsa klubi reagon ashpër dhe paralajmëron masa ligjore.
Foto: Ilustrim
Deklarata tronditëse vijnë nga sulmuesi i krahut, Allan Saint-Maximin, i cili ka shpërthyer publikisht kundër klubit turk Fenerbahçe, duke e përshkruar përvojën e tij atje si një “luftë toksike” dhe duke ngritur akuza të rënda, përfshirë tentativën për t’u droguar. Këto rrëfime, të bëra gjatë një interviste në kanalin YouTube të Zack Nani, kanë shkaktuar një reagim të menjëhershëm dhe të ashpër nga klubi turk.
Saint-Maximin, i cili sezonin e kaluar ishte i huazuar te Fenerbahçe nga Al-Ahli i Arabisë Saudite, tregoi se ishte përballur me situata jashtëzakonisht të rënda që, sipas tij, “e prekën në mënyrë të pashmangshme”.
“Jam një njeri i ndershëm dhe nuk do të doja t’i vendosja njerëzit në situata të vështira. Por kam arritur në një fazë ku nuk kam më frikë nga asgjë. Ata u përpoqën të më drogonin, duke më injektuar gjëra të pakuptimta,” deklaroi ai, duke shokuar opinionin publik me këto pretendime të rënda.
Për më tepër, sulmuesi theksoi mungesën totale të ndjeshmërisë njerëzore nga ana e klubit, madje edhe në momente kur babai i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. “E vetmja gjë që kishte rëndësi për ta ishte loja. Por ku është ana njerëzore? Kur jam në gjendjen time më të keqe, më qëndro afër,” theksoi Saint-Maximin, duke shprehur zhgënjimin e tij të thellë.
Francezi, i cili pati një fillim të mirë sezoni me Fenerbahçen por më pas ra ndjeshëm në formë, zbuloi gjithashtu se pati një përballje direkte me trajnerin José Mourinho. Megjithatë, toni i tij ndaj Mourinhos ishte më pajtues. “Fola me Mourinhon si burri me burrë. Ai është një trajner i jashtëzakonshëm dhe më ndihmoi të përparoja, por edhe ai pati shumë pengesa gjatë sezonit,” nënvizoi sulmuesi, duke lënë të kuptohet se raporti me trajnerin ishte i ndryshëm nga ai me drejtuesit e klubit.
Reagimi i ashpër i Fenerbahçes: Paralajmërohen masa ligjore
Klubi turk ka reaguar me ashpërsi ndaj deklaratave të Saint-Maximin, duke i cilësuar ato si “shtrembërim të fakteve” dhe duke paralajmëruar masa ligjore.
“E kemi ndjekur me habi deklaratat e Allan Saint-Maximin në rrjetet sociale. Shtrembërimi i fakteve në lidhje me trajtimin shëndetësor përbën një përpjekje për të dëmtuar reputacionin e klubit tonë. Si Fenerbahçe SK, do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore kundër çdo pretendimi të pavërtetë ose keqinterpretimi që cenon imazhin tonë,” thuhet në deklaratën e klubit turk.
Kjo përplasje publike vjen vetëm pak kohë pasi Saint-Maximin përfundoi sezonin e huazimit te Fenerbahçe, pa arritur të bindë plotësisht Mourinhon dhe stafin teknik për të vijuar qëndrimin e tij në klub. Mbetet të shihet se si do të zhvillohet kjo çështje ligjore dhe cili do të jetë epilogu i kësaj sagë të pazakontë.