Trepça fitoi lehtë kundër Golden Eagle Yllit
Në një ndeshje që premtonte shumë, Trepça ka arritur të shënojë një fitore të thellë ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 91:68, në kuadër të javës së 16-të të ProCredit Superligës.
Kampionët e Kosovës e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte, duke shënuar një seri prej 27:5 që i dha një epërsi të padiskutueshme që në çerekun e parë. Kjo periudhë përfundoi me rezultatin e thellë 29:7 në favor të mysafirëve.
Ndeshja vazhdoi me një ritëm më të barabartë në të gjitha çerekët e tjerë, por Trepça arriti të ruajë epërsinë e fituar në fillim të ndeshjes.
Malik Johnson ishte lojtari më i mirë në fushë për Trepçën, duke kontribuuar me 23 pikë, shtatë kërcime dhe tetë asistime. Nga ana tjetër, Jan Palokaj u dallua te Golden Eagle Ylli me 17 pikë, katër kërcime dhe tri asistime.
Me këtë fitore, Trepça ngjitet në vendin e dytë në tabelë me 12 fitore dhe 4 humbje, ndërsa Golden Eagle Ylli mbetet në vendin e gjashtë me 7 fitore dhe 9 humbje.