Tre largime nga FC Ballkani para nisjes së sezonit të ri
Klubi futbollistik Ballkani nga Suhareka ka nisur lëvizjet në skuadër në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri në Superligën e Kosovës, si dhe për garat evropiane në UEFA Conference League.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ballkani ka bërë të ditur largimin e tre futbollistëve: Bernard Karrica, Arjol Bllaca dhe Uheid Hoxha.
“Klubi i dëshiron suksese çdo njërit prej tyre në vazhdimësi të karrierës, duke vlerësuar gjithçka kanë dhënë gjatë kohës sa ishin pjesë e jona,” thuhet në komunikatën e klubit.
Këto lëvizje janë pjesë e ristrukturimit të skuadrës nga trajneri Ilir Daja, i cili synon të krijojë një ekip konkurrues për sfidat vendore dhe ato ndërkombëtare. FC Ballkani tashmë e ka mësuar edhe kundërshtarin potencial në raundin e dytë të Conference League, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Floriana FC (Maltë) dhe Haverfordwest County AFC (Uells).
Largimet pritet të pasohen me afrime të reja në ditët në vijim, ndërsa klubi mbetet i fokusuar në ruajtjen e standardit të lartë që ka ndërtuar në vitet e fundit.