Spektakël golash në “Fadil Vokrri”: Kosova mposht thellë Armeninë 5:2

para 13 dite

Kombëtarja e Kosovës ka dhuruar një spektakël golash mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke shënuar një fitore të thellë 5:2 ndaj Armenisë në ndeshjen miqësore.

Spektakël golash në “Fadil Vokrri”: Kosova mposht thellë Armeninë 5:2

Një ndeshje plot kthesa, ku “Dardanët” treguan karakter dhe forcë sulmuese.

Ndeshja nisi me vështirësi për Kosovën. Që në minutën e tetë, Armenia kaloi në epërsi me golin e Tiknizyan, pas një asisti nga Sevikyan dhe një gabimi të portierit Saipi. Megjithatë, reagimi i Kosovës nuk vonoi.

Në minutën e 22-të, Dellova barazoi rezultatin me një supergol nga distanca, duke ndezur shpresat e tifozëve. Por, vetëm shtatë minuta më vonë, Spertsyan riktheu epërsinë për Armeninë me një goditje të lirë të ekzekutuar në mënyrë perfekte, duke e çuar rezultatin në 2:1.

Pjesa e dytë ishte një histori tjetër. Kosova rriti ndjeshëm ritmin dhe vendosmërinë. Baraspesha u rikthye në minutën e 61-të, kur Mërgim Vojvoda shënoi nga penalltia, pasi paraprakisht Zabërgja u pengua brenda zonës. Ky gol shënoi pikën e kthesës.

Epërsinë e parë për Kosovën e siguroi mesfushori Lindon Emerllahu në minutën e 71-të me një goditje precize, duke i dhënë epërsinë 3:2 “Dardanëve”.

Protagonisti i fundit i mbrëmjes ishte sulmuesi në formë, Albion Rrahmani, i cili shënoi dy gola të shpejtë, duke vulosur rezultatin përfundimtar në 5:2 në favor të Kosovës.

Etiketat

Ofertat e fundit