Rekord për Kosovën në renditjen e FIFA-s, “Dardanët” ngjiten në vendin e 91-të

18.09.2025

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar renditjen më të fundit të kombëtareve, ku Kosova dhe Shqipëria kanë shënuar përparim të dukshëm.

Kosova, e udhëhequr nga trajneri Franco Foda, ka bërë një hap të rëndësishëm përpara duke u renditur në vendin e 91-të. Ky rezultat paraqet një ngritje prej katër pozicionesh krahasuar me muajin e kaluar dhe konsiderohet një tjetër rekord për “Dardanët”, të cilët vazhdojnë të përmirësojnë performancën e tyre në arenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, kombëtarja shqiptare e drejtuar nga trajneri Sylvinho ka shënuar gjithashtu ngritje në këtë renditje. Falë fitoreve kundër Gjibraltarit dhe Letonisë gjatë këtij muaji, kuqezinjtë kanë përparuar me dy pozicione, duke kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 66-të. Ky progres konfirmon ecurinë pozitive të Shqipërisë, që synon të konsolidojë prezencën e saj mes ekipeve më të forta në Evropë.

Ndërkohë, në krye të renditjes ka pasur lëvizje të mëdha. Spanja është rikthyer në pozitën e parë për herë të parë që nga viti 2014, duke lënë pas kombëtare të tjera pretendente. Italia ka fituar një pozicion dhe aktualisht renditet e dhjeta, ndërsa Gjermania ka rënë nga dhjetëshja e parë, duke u pozicionuar në vendin e 12-të pas humbjes së tre vendeve në krahasim me muajin e kaluar.

Ky përditësim i renditjes së FIFA-s tregon jo vetëm progresin e dukshëm të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe balancat e reja që po krijohen në futbollin ndërkombëtar.