Prishtina triumfon në Kupën e Kosovës, mposht Llapin në finale

22.05.2025

FC Prishtina është shpallur fituese e Kupës së Kosovës në futboll për edicionin aktual, duke mposhtur KF Llapin me rezultatin 1:0 në finalen e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ky është trofeu i nëntë i Kupës për Prishtinën dhe i dyti brenda tri edicioneve të fundit.

Goli i vetëm dhe vendimtar i ndeshjes u shënua nga mesfushori Albin Krasniqi në orën e 60-të të lojës. Pas një aksioni, Krasniqi gjuajti fuqishëm nga jashtë zonës, topi u devijua nga mbrojtësi i Llapit, Diar Vokrri, duke përfunduar në rrjetën e portierit kroat Marijan Çoriq.

Dy minuta para golit të Prishtinës, Llapi mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi Arbnor Ramadani u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda një harku kohor prej dy minutash, duke u përjashtuar nga loja.

Pavarësisht përpjekjeve, Llapi nuk arriti të shënojë dhe mbetet me dy trofe të fituar në Kupën e Kosovës në historinë e klubit.

Për Prishtinën, kjo ishte finalja e tretë radhazi në Kupën e Kosovës. Ata triumfuan në edicionin 2022-23 duke mposhtur Gjilanin, ndërsa në edicionin e kaluar humbën nga Ballkani pas penalltive.

Ndërkohë, Llapi e pret ende një ndeshje vendimtare në Superligën e Kosovës kundër Dukagjinit të dielën. Rezultati i kësaj ndeshjeje, si dhe ai i ndeshjes së Suharekës kundër Ballkanit, do të përcaktojnë nëse Llapi do të mbetet në Superligë apo do të përfshihet në zonën e barazhit, duke pasur parasysh diferencën e ngushtë të pikëve me Suharekën.