Në fundjavë fillon faza e dytë e Superligës, derbi në Suharekë

23.10.2025

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar orarin zyrtar për xhiron e 10-të të Albi Mall Superligës, e cila do të zhvillohet gjatë fundjavës, me pesë përballje interesante që pritet të sjellin rivalitet dhe emocione të forta.

Sipas njoftimit të FFK-së, ndeshjet do të luhen të shtunën dhe të dielën, ndërsa vëmendja kryesore do të jetë në Suharekë, ku kampioni në fuqi, Ballkani, do të jetë nikoqir i Gjilanit. Kjo sfidë zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin e qytetit.

Në të njëjtin orar, do të luhet edhe ndeshja Prishtina e Re – Malisheva, një përballje e rëndësishme për pozicionet në mes të tabelës.

Po të shtunën, nga ora 18:30, në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtina pret Dukagjinin, në një duel që pritet të sjellë atmosferë të zjarrtë mes dy skuadrave që kërkojnë këndellje.

Ndërkohë, të dielën, sfidë tejet interesante pritet në Gjilan, ku Drita do të përballet me Ferizajn, ndërsa paralelisht nga ora 13:00, do të zhvillohet ndeshja mes Llapit dhe Drenicës.

Xhiroja e 10-të pritet të jetë një tjetër fundjavë plot rivalitet në elitën e futbollit kosovar, ku çdo pikë është e rëndësishme në garën për kreun dhe mbijetesën.