Ndeshja Serbi-Shqipëri, ky është formacioni i kuqezinjëve

11.10.2025

Vetëm pak orë na ndajnë nga përballja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të zhvillohet sonte në Leskovc me fillim nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

Kjo ndeshje pritet të jetë vendimtare për kuqezinjtë, të cilët kërkojnë të mbajnë gjallë shpresat për një vend në “Play Off”.

Sipas raportimeve të gazetarit të Top Channel, Endi Tufa, trajneri Sylvinho ka vendosur të zbresë në fushë me formacionin e tij klasik 4-3-3. Në portë do të jetë Strakosha, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Hysaj, Ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj. Në mesfushë do të luajnë Asllani, Laçi dhe Shehu. Ndryshimi i vetëm në formacion vjen në krahun e majtë të sulmit, ku vendin e Bajramit apo Hoxhës e merr Myrto Uzuni. Krahu i djathtë i është besuar Brojës, ndërsa në majën e sulmit do të jetë Rey Manaj.

Bookmakers-at e shohin Serbinë si favorite për shkak të avantazhit të fushës, me kuotat 1.70 për fitoren e Serbisë, 3.40 për barazimin dhe 5.75 për fitoren e Shqipërisë. Një fitore sonte do të ishte tepër e vlefshme për kuqezinjtë, të cilët ndodhen aktualisht në vendin e dytë të grupit me 8 pikë, pas Anglisë që kryeson me 15 pikë. Serbia ndjek me 7 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndërkohë, pak para nisjes së ndeshjes, Letonia dhe Andorra kanë ndarë pikët në një barazim spektakolar 2-2. Me këtë rezultat, Letonia arrin në kuotën e 5 pikëve, ndërsa Andorra regjistron pikën e saj të parë në këtë fushatë kualifikuese.

Pamja aktuale e grupit tregon se gjithçka mbetet e hapur pas Anglisë, me Shqipërinë dhe Serbinë që sonte do të vendosin shumë për fatin e vendit të dytë dhe mundësinë për të vazhduar ëndrrën drejt Botërorit 2026.