“Mos më fol për lidership” – Zlatan Ibrahimovic sulmon Granit Xhakën pas penalltisë ndaj Bosnjës
Legjenda suedeze Zlatan Ibrahimovic ka kritikuar ashpër kapitenin e Zvicrës, Granit Xhakën, për vendimin e tij që të ekzekutonte vetë penalltinë në ndeshjen ndaj Bosnjë-Hercegovinës, duke ia mohuar talentit të ri Manzambi mundësinë për të realizuar hat-trick.
Foto: Ilustrim
Ibrahimovic deklaroi se një lider i vërtetë duhet të mendojë për zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe jo për statistikat personale. Sipas tij, Manzambi meritonte të merrte përgjegjësinë e penalltisë, pasi ishte vetëm një gol larg një arritjeje historike.
“Askush nuk e mban mend një veteran që shënon edhe një penallti tjetër. Njerëzit mbajnë mend një talent të ri që prezantohet para botës me një hat-trick”, u shpreh ish-sulmuesi suedez.
Ai shtoi se lidershipi nuk matet me shiritin e kapitenit, por me veprimet në fushë, duke theksuar se futbollistët me përvojë duhet të krijojnë hapësirë për gjeneratën e re.
Deklaratat e Ibrahimovicit kanë nxitur debat të madh në opinionin sportiv, ndërsa Granit Xhaka ende nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre komenteve.
