Meriton Korenica shpallet “Lojtari i Muajit” në Cluj, shkëlqen me golat dhe asistimet
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Meriton Korenica, ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e tij, duke u shpallur “Lojtari i Muajit” shkurt nga skuadra e Clujit. Korenica ka triumfuar në votimin e zhvilluar nga klubi, duke lënë pas bashkëlojtarët e tij, Louis Munteanu dhe Mohammed Kamara.
Forma e shkëlqyer e “dardanit” ka qenë vendimtare në këtë vlerësim. Gjatë muajit të kaluar, Korenica ka shënuar dy gola në gjashtë ndeshje, duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në ecurinë e skuadrës.
Kjo shpërblim vjen si një konfirmim i sezonit të tij të suksesshëm në ligën rumune. Deri më tani, Korenica ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë katër asiste në 28 ndeshje, duke u bërë një nga lojtarët kyç të Clujit.
Performancat e tij të shkëlqyera nuk kanë kaluar pa u vënë re nga tifozët dhe ekspertët e futbollit, të cilët kanë vlerësuar kontributin e tij të vazhdueshëm në fushë.