Lindon Emërllahu prezantohet te FC Polissya Zhytomyr, nënshkruan kontratë trevjeçare
Mesfushori kosovar, Lindon Emërllahu, ka zyrtarizuar transferimin e tij te klubi ukrainas, FC Polissya Zhytomyr, nga CFR Cluj, duke i dhënë fund pritjes së tifozëve për këtë lëvizje.
Foto: Ilustrim
Faqja zyrtare e klubit ukrainas ka bërë të ditur detajet e marrëveshjes, duke e prezantuar lojtarin si pjesë të skuadrës së re:
“Klubi i futbollit Polissya ka arritur një marrëveshje për bashkëpunim me mesfushorin kosovar Lindon Emërllahu. Kontrata me lojtarin është nënshkruar për një periudhë trevjeçare. Lojtari do të luajë me numrin 14. Mirë se vini në grup, Lindon!”
Ndërkohë, sezonin e kaluar në Rumani, Emërllahu luajti 24 ndeshje me CFR Cluj, duke shënuar 4 gola dhe dhuruar 2 asistime, duke u treguar një nga lojtarët më të rëndësishëm të mesfushës.
Ky transferim përbën një hap tjetër të rëndësishëm në karrierën e mesfushorit kosovar, i cili synon të vazhdojë rritjen e tij në futbollin ukrainas dhe në arenën ndërkombëtare.