Kosova nikoqire e dy ngjarjeve prestigjioze të basketbollit evropian
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka konfirmuar se do të organizojë dy nga ngjarjet më prestigjioze të basketbollit evropian, duke e vendosur vendin tonë në një skenë të rëndësishme sportive dhe diplomatike ndërkombëtare.
Foto: Ilustrim
Për herë të parë, në bashkëpunim me FIBA Evropën, Kosova do të jetë nikoqire e FIBA Europe U14 Get-Together dhe takimit të Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës (FIBA Europe Youth Commission). Të dyja këto aktivitete do të mbahen në Prishtinë nga 17 deri më 19 tetor 2025.
Në kryeqytet pritet të vijnë rreth 80 trajnerë nga vende të ndryshme të kontinentit, të cilët do të ndjekin ligjërata dhe punëtori nga figura të njohura të basketbollit evropian. Krahas tyre, Kosova do të mirëpresë edhe drejtuesit më të lartë të FIBA Evropës, përfshirë kryetarin Jose Garbajosa dhe drejtorin ekzekutiv Kamil Novak.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, i cili është njëherësh edhe nënkryetar i Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës, do ta përfaqësojë Kosovën si nikoqir i forumit. Ndërkohë, sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cilësoi këtë organizim si shumë më tepër sesa një aktivitet sportiv, duke e konsideruar një mesazh të fuqishëm për pozitën e Kosovës në familjen evropiane të basketbollit.
Ky organizim vlerësohet si një dëshmi e qartë e përkushtimit për të ngritur basketbollin kosovar në një nivel të ri dhe për ta përdorur sportin si një urë diplomatike drejt integrimit dhe afirmimit ndërkombëtar.